Arrestohet për drogë parukierja e një salloni bukurie në Tiranë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se bashkëpunëtori i saj i cili është në kërkim e fshihte lëndë narkotike të ndarë në doza gati për shitje, në parukerinë e 50 vjeçares Zamira Senkaj në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Beauty salon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje. Vihet në pranga 1 shtetase. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Beauty salon”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Z. S., 50 vjeçe, banuese në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. B. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. B. e fshihte sasinë e lëndës narkotike të ndarë në doza, në parukerinë e shtetases Z. S., në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarisë kriminale, kapjen e shtetasit A. B., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
/abcnwes.al