Shkon në 12 numri i viktimave si pasojë e motit të keq në Majorka. Bashkimi Europian u shpreh i gatshëm të mbështesë vendin, ndërsa dhe në Francë shënohen dy viktima si pasojë e përmbytjeve në Bregun e Kaltër.
Shkon në 12 bilanci i viktimave nga përmbytjet në ishullin spanjoll të Majorkas. Lajmi u konfirmua nga policia vendore pas gjetjes së dy trupave të pajetë, një burrë dhe një grua. Sipas mediave spanjolle ata mund të jenë një çift gjerman që ishte i shpallur i zhdukur të enjten.
Zëdhënësi i Bashkimit Europian shprehu ngushëllimet për viktimat, dhe shtoi se është gati për të ofruar mbështetjen që i duhet vendit.
Edhe tenisti spanjoll, Rafael Nadal, është bashkuar me banorët në Sant Lorens për të ndihmuar në pastrimin e shtëpive dhe të rrugëve. Pas përmbytjeve Nadal kishte vënë në dispozicion ambientet e qendrës së tij sportive, për të pastrehët që llogariten deri në 200. Rreth 50 persona aktualisht ndodhen në këtë strukturë.
Por moti i keq ka shkaktuar viktima dhe në Francë. Dy viktima janë sinjalizuar në Bregun e Kaltër. Disa automjete janë marrë para nga uji I lumit Garonet. Sipas policisë, viktimat kanë qenë në automjetin e tyre, ndërsa janë shpëtuar 16 persona të tjerë./abcnews.al