Policia arriti të gjejë dy turistët hungarezë, të cilët kishin humbur rrugën mbrëmjen e kaluar, në zonën e Karaburunit. Lokalizimi i tyre u bë i mundur mëngjesin e sotëm nëpërmjet GPS-së.
Gjetja e tyre dhe kontakti fizik me ta u bë rreth orës 10:00 në vendin e quajtur “Lerat”, në Llogara pasi terreni ishte i vështirë. Çifti kishte humbur kontaktet, rrugën dhe orientimin një ditë më parë dhe për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, e kishte të pamundur kthimin mbrapa.
Aktualisht po bëhet transportimi i çiftit pranë vendndodhjes së tyre në zyrat e zonave të mbrojtura, në Parkun e Llogarasë. Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore./abcnews.al