Gjenden 2 kafka nga gërmimet në Kizhevak, Gërxhaliu: 16 persona janë vrarë gjatë Luftës së Kosovës

schedule21:22 - 10 Maj, 2021

schedule 21:22 - 10 Maj, 2021

Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka njoftuar se gjatë gërmimeve të fundit në Kizhevak në Serbi, janë gjetur kafkat e dy personave të cilët do t’i nënshtrohen testit të AND-së me qëllim identifikimin e tyre.

“Deri më tani në sipërfaqe pas largimit të një shtrese të dheut dhe të gurëve kanë dal dy kafka dhe minimum dy persona për të cilët duhet të bëhet tërheqja e tyre dhe të bëhet inspektimi mjeko-ligjor dhe të merren mostrat për AND.”

Gërxhaliu tha se numri i saktë i viktimave në këtë varrezë masive ende nuk dihet.

“Sa i përket numrit nuk e preferoj ta them, por mund të them që pala serbe thotë herë 14 e herë 16 viktima. ajo që dimë me siguri është që këta persona i takojnë grupit të Rezallës e cila ndërlidhet me pjesën e gjetur në vitin 2014 në Rudnicë.”

Në lidhje me këto kërkime, ai shprehu shqetësim për pengesat që po has nga pala serbe.

“Na mbajnë 2 orë në kufi pa asnjë arsye, edhe kur hyjmë edhe kur dalim prej aty. Nxjerrin lloj lloj justifikimesh për të na penguar.” 

Për herët të parë mbetjet trupore në këtë varrezë u gjetën në nëntor të viti 2020, ndërsa në dhjetor, u zbuluan 5 varreza masive në pjesën jugperëndimore të Serbisë, në qytetin e Kizhevak. Eshtrat mendohet se i përkasin viktimave të luftës.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se vazhdojnë të jenë të zhdukur rreth 1600 persona, pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!