Gjeli i detit zëvendëson pemën e Vitit të Ri në Peqin, kryebashkiaku Maçi tregon si i lindi ideja: Ky simbol ka shtuar turistët

schedule08:37 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 08:37 - 8 Dhjetor, 2023

Këtë vit qyteti i Peqinit është bërë tepër viral në rrjet, pasi krahas pemës së Vitit të Ri, vendosën dhe simbolin e tyre, një gjeldeti.

Kjo ide ishte e kryebashkiakut të Peqinit, Bukurosh Maçi, i cili i ftuar në “ABC e Mëngjesit” ka ndarë detaje nga gjeli i detit. Ai theksoi se kjo figurë ka bërë që të rritet numri i turistave në qytet dhe për këtë të gjithë krenohen.

“Ja kërkova një djali me emrin Olsi që ta bënte dhe i thash që duhet të biem dakord që të paktën për këtë vit nuk do ta bësh në asnjë qytet tjëtër. Është i punuar me alumin nga brenda, ka dhe drita.

Krahas pemës dhe zbukurimeve, me këtë figurë ne kthyem vëmendjen nga qyteti i Peqinit dhe bëm që të vijnë shumë turistë, të cilët vijnë edhe për të bërë foto me gjelin e detit.

Zona jonë nuk e feston dot vitin e ri pa gjelin e detit. Ne krenohemi me këtë produkt dhe që bëjmë dhurata gjelin e detit, sepse pjesa më e madhe e kuptojnë që është gjel i Peqinit”.

Maçi foli dhe për panairin e zhvilluar pak ditë më parë, ku pjesëmarrës ishte dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

“Është panairi i dytë që ne zhvillojmë në Peqin, pasi më herët kemi ekspozuar produktet tona si pjeshka dhe të tjera. Ky ishte i dyti pasi nuk ishte thjesht për gjelin e detit, por për të gjitha produktet e zonës sonë, si molla për shembull. Në këtë panair ku mori pjesë dhe presidenti, promovuam dhe produktet dhe kaluam bukur, folëm për Peqinin”./abcnews.al