Sekretari i Çështjeve Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata, në studion e “ABC News” ka folur për Reformën Zgjedhore, ndërsa është ndalur edhe te çështja e shembjes së teatrit.
Gjatë bisedës në studio ai u shpreh se sa më shpejt të ngrihet Gjykata Kushtetuese edhe standardi përmirësohet. Më tej ai shtoi se Partia Demokratike mbështet rindërtimin e teatrit ndërsa shtoi se personat që morën vendimin për ta shembur duhet të përballen me drejtësinë.
Gjata tha se “qeveria kujdestare” sipas tij është zgjidhja më e mirë, ndërsa theksoi se kjo duhet të vendoset përgjithmonë, pavarësisht se kush parti është pushtet, të qëndrojë.
“Çfarë standardi vendosi Rama me çështjen e teatrit? Unë jam shumica, teatri është i shëmtuar, unë do e shemb se do të bëj diçka të bukur?! Me këtë standard të gjithë Shqipërinë e hedhim në erë. Do të protestojë shoqëria civile, por do e rrahin. Pikërisht ky standard duhet ndryshuar, sepse është shumë e rrezikshme.
E mbështesim Aleancën, ne dhe PD, e kemi detyrim të ringrejmë teatrin aty ku ka qenë dhe të çohen para ligjit ata që e kanë bërë. Teatri u shemb për të pastruar 200 milion euro të krimit dhe të oligarkëve”, tha Gjata.
Do të kenë ndëshkimin ata që e kanë bërë?
Gjata: Duhen çuar para ligjit. Duhet Prokuroria e pavarur, nuk të çon as qeveria as opozita në burg. Ne do të ndërtojmë një politikë të tillë në drejtësi, që të ketë Prokurori të pavarur. Na duhet ne , i duhet çdo qytetari. Nëse nuk zhbëhet ky standard çdo drejtues që ka marrë 5 vota do të shkatërrojë Shqipërinë. Ne nuk jemi për të ndryshuar sistemin që të vijmë në pushtet, por që të përmirësohet standardi për shqiptarët./abcnews.al