Gjata: Plotësoji ato kushte o Edi Rama, ose pi detin!

schedule22:07 - 31 Tetor, 2019

schedule 22:07 - 31 Tetor, 2019

Çlirim Gjata, Sekretari Juridik i Partisë Demokratike, ishte i ftuar sot në Mbrëmje ABC me gazetaren Mirela Milori. Gjata foli për krizën politike dhe strategjinë që do të ndjekë opozita më tej, deri në arritjen e një zgjidhjeje të situatës. Gjata tha se gjithë veprimet e opozitës, që nga djegia e mandateve, bëri që Bundestagu të sillte 9 kushtet, dhe se opozita po përgatit variantin e saj të reformës në drejtësi. Gjithashtu Gjata tha se opozita nuk ka ndërmend të ulet, dhe të zgjidhë diçka me Edi Ramën, dhe se do të kërkohet deri në fund, qeveri tranzitore për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

“Opozita ka strategjinë e saj, platforma e gjithçka. Po të shihni djegia e mandateve dhe protestat e opozitës, ndezën flakë opinionin ndërkombëtar, dhe bëri atë që, Bundestagu të sjellë 9 kushtet, të cilat janë të barabarta me 10 protestat e opozitës. Ajo e Bundestagut është protestë permanente, e cila thotë: plotësoji ato kushte o Edi Rama ose pi detin. Si do ti plotësojë ato kushte? A ka protestë më të madhe se 9 kushtet e Bundestagut? Prandaj duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka rëndësi se kur mbahen ato zgjedhje, kjo do shihet hap pas hapi. Tashmë Edi Rama është me shpatulla pas murit. E vetmja gjë që po bën qeveria është propaganda. Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë qeveri tranzitore. Me Edi Ramën nuk zgjidhet asgjë. Atë që thotë Rama për opozitën parlamentare, a e di si më duken këta të opozitës parlamentare? Si emigrantët e shkretë që martohen për letra. Mbaron martesa bëjnë një divorc dhe kaq, janë pa taban, ata nuk kanë parti. Ne po kërkojmë që të plotësohen kushtet e Bundestagut, po bëjmë variantin tonë të reformës zgjedhore sepse Bundestagu nuk e pranon reformën zgjedhore pa pjesëmarrjen e opozitës reale”, tha Gjata./abcnews.al