Negociatorët amerikanë dhe izraelitë pritet të shkojnë në Kajro gjatë fundjavës në një përpjekje të ripërtërirë bisedimet për të arritur një marrëveshje për armëpushim dhe lirim pengjesh, në luftën që po shënon gjysmë viti që kur filloi.
Përpara bisedimeve, presidenti amerikan Joe Biden u kërkoi udhëheqësve të Egjiptit dhe Katarit që të shtojnë trysninë ndaj Hamasit për të “rënë dakord për një marrëveshje”, i tha një zyrtar i lartë i administratës agjencisë AFP të premten mbrëma.
Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti janë angazhuar prej muajsh në bisedime për të ndërmjetësuar një armëpushim dhe një shkëmbim të pengjeve izraelite me të burgosur palestinezë, por nuk kanë shënuar asnjë përparim që kur skadoi një armëpushim njëjavor në nëntor.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se negociatat do të zhvillohen këtë fundjavë në Kajro, por nuk komentoi mbi njoftimet e mediave amerikane se do të merrte pjesë drejtori i CIA-s Bill Burns, si edhe shefi i zbulimit të Izraelit, David Barnea, kryeministri i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani dhe shefi i zbulimit të Egjiptit, Abbas Kamel.
Hamasi konfirmoi të shtunën se një delegacion i drejtuar nga zëvendës shefi i tij në Gazë, Khalil Al-Hayya, do të shkojë në Kajro të dielën për bisedimet, me ftesë të negociatorëve egjiptianë.
Izraeli dhe Hamasi, të cilët kanë negociuar përmes palëve të treta kanë fajësuar njëri-tjetrin për mungesën e përparimit./VOA