Uji në lumin Gjanicë këtë mëngjes kishte ngjyrën e naftës. Mbetje masive hidrokarburesh janë hedhur nga rafineria e Fierit gjatë natës.
Era e rëndë e squfurit është shpërndarë në qytet dhe rrethina. Qytetarët akuzojnë rafinerinë e Fierit për ndotjen e lumit Gjanicë.
“Këtë e ka rafineria dhe ajo mund t’i gjejë vendin”, u shpreh një qytetar.
Sipas tyre i gjithë investimi për rehabilitimin e shtratit të lumit është i dështuar.
“I gjithë ky investim që ka bërë Bashkia me këtë ndotje që është bërë edhe investimi është i zhvlerësuar”, tregon një tjetër qytetar.
Përsëritja e këtij fenomeni prej vitesh tregon paaftësinë e pushtetit vendor për të mbajtur pastër këtë mjedis apo për të vënë përpara përgjegjësisë ndotësit.
Inspektorati Mjedisor prej muajsh thotë se po punon për gjetjen e shkaktarëve të ndotjes por pa rezultat.
Ndërkohë uji i lumit Gjanica po kthehet në një mjedis toksik që kërcënon shëndetin e banorëve në Fier ndërsa lëndët hidrokarbure përfundojnë në detin Adriatik.
Rafineria e Fierit prodhon bitum dhe ka më pak se 100 punonjës./abcnews.al/