Gjama e fundit e burrave përloti këdo, Dukgilaj: Presim për në UNESCO

schedule18:34 - 1 Dhjetor, 2022

schedule 18:34 - 1 Dhjetor, 2022

Atë e bir, Pjetër dhe Jason Rushaj që vdiqën si pasojë e përmbytjeve në Shkodër janë përcjellë për në banesat sipas traditës malësore të Shqipërisë. Gjama e burrave, rituali i vjetër në veri risillet nga organizatori i ceremonisë Gjon Dukgilaj, i cili ishte i ftuar në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin.

Dukgilaj, një koleksionist i apasionuar me traditat shqiptare dhe sipërmarrës me biznese si “Tradita Geg & Toskë” shprehu se me fatkeqësinë e madhe të ndodhur në familjen Rushaj, gjama ishte e dyfishur dhe tepër drithëruese. Mbi të gjitha me ndarjen nga jeta të sa miturit si djali i vetëm, mbyllet shtëpia.

“Ishin gjamatarët ata që bën që gjama të merrte përmasa shumë të mëdha. Nuk është më një varrim, por një gjamë në përmasa hyjnore. Shpirti i tij zhgulet nga dheu dhe lartësohet, edhe dhimbja e familjarëve lehtësohet. Gjama bëhet për njerëz që bëhet për njerëz të rrallë, që kanë dhënë një kontribut social ose në luftë. Ose në rastin e ditëve të fundit, u mbyll shtëpia, djali i fundit vdes i kësaj shtëpie.

Në këtë rast bëhet gjamë pa pasur parasysh cili është kontributi i të ndjerit. Gjamë i bëhet edhe grave kur rrit fëmijët e kunatit ose kunatës si të ishin të vetët. Ajo nuk thirret motra, por thonë ‘të mjerët ne për vëllazin’. Gjamë mund të bëjnë vëllezërit për vëllaun, kumbarat, katundi vetë, por dhe dikush nga larg që nuk ka njerëz i bashkohen gjithmon në numër tek njerëzit e katundit.” – shpjegoi organizatori Gjon Dukgilaj, i cili njëkohësisht punon për ruajtjen e riteve apo traditave shqiptare.

Dukgilaj zbuloi gjithashtu se po punon fortë për dosjen e gjamës, në mënyrë që njësoj si xhubleta edhe ky ritual të mbrohet nga Unesco.

“Unë them se gjama e burrave është më e hershme, por xhubleta është një krenari që nuk qan, nuk vajton. Është bërë një dosje, dosja ka qenë në Ministri të Kulturës. Një prej artistëve më të mëdhenj botëror po mëson sot shqip për të ardh për ta lujt gjamën e burrave që do të thotë gjama do të marr përmasa ndërkombëtare.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!