Komisioni Europian ka thënë se dekreti i miratuar nga qeveria italiane e Giorgia Melonit, për ta kthyer qendrën e Gjadrit në Shqipëri në një qendër qëndrimi dhe riatdhesimi për migrantët, është në përputhje me ligjin europian.
Zëdhënësi i Komisionit për Çështjet e Brendshme dhe Emigracionin, Markus Lammert tha se po monitorohet zbatimi i protokollit Itali-Shqipëri dhe unioni ka kontakte të vazhdueshme me palët.
“Sa i përket zgjidhjeve inovative, kemi deklaruar se jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë ato, gjithmonë në përputhje me detyrimet e së drejtës së BE-së dhe asaj ndërkombëtare, si dhe me respektimin e të drejtave themelore”
Dekreti lejon që qeveria Italiane të dërgojë në Shqipëri emigrantët që presin dëbimin dhe që nuk kanë më të drejtë për azil.
Sipas këtij dekreti, emigrantët duhet të të qëndrojnë në këto struktura deri në 18 muaj, derisa të përfundojnë procedurat për dëbimin në vendet e origjinës.
Pavarësisht kritikave me të cilat është përballur dekreti, Komisioni Europian ka thënë se iniciativa italiane nuk është e njëjtë me konceptin e “qendrave të riatdhesimit” të propozuara në rregulloren e re të Bashkimit Europian më 11 mars.
Lammert tha se Komisioni po punon për të përcaktuar kuadrin ligjor dhe kriteret minimale për këto lloj zgjidhjesh, të cilat duhet të bazohen në “një marrëveshje ndërkombëtare të detajuar dhe të aplikohen vetëm në vende të treta që respektojnë të drejtat e njeriut dhe parimin e moskthimit me forcë.”
Zëdhënësi i Komisionit Europian theksoi se iniciativa e Italisë është në përputhje me legjislacionin, pasi rregullorja e propozuar ende nuk ka hyrë në fuqi./abcnews.al