Supermodelja braziliane Gisele Bundchen solli në jetë fëmijën e saj të tretë, i pari me partnerin e saj, instruktorin e jiu-jitsu, Joaquim Valente. Sipas raportimeve, nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Gisele, 44 vjeç, tashmë është nënë e Benjamin 15-vjeçar dhe Vivienne 12-vjeçare, të cilët i kishte me ish-bashkëshortin e saj, lojtarin e famshëm të NFL-së, Tom Brady. Çifti u divorcua në tetor 2022, pas 13 vitesh martesë.
Marrëdhënia e saj me Joaquim Valente filloi në vitin 2023, fillimisht si miqësi dhe evoluoi në një marrëdhënie romantike. Gisele njoftoi shtatzëninë e saj në tetor 2024, duke zgjedhur t’i mbajë private detajet. Së fundmi ajo është parë në një plazh të Kosta Rikës, duke treguar barkun e saj të fryrë, e shoqëruar nga Valente.
Për momentin nuk janë bërë të ditura detaje lidhur me emrin apo gjininë e të porsalindurit. Gisele dhe Joaquim nuk kanë bërë asnjë deklaratë zyrtare për lindjen, ndërsa Tom Brady nuk ka komentuar ngjarjen.
Gisele Bundchen njihet për karrierën e saj të suksesshme në modë, pasi ka bashkëpunuar me marka kryesore dhe është shfaqur në kopertina të shumta revistash. Përveç karrierës së saj si modele, ajo është një nënë e përkushtuar dhe shpesh ndan me fansat momente nga jeta e saj familjare.
Lajmi për ardhjen në jetë të fëmijës së tretë të Gisele Bundchen ka ngjallur një interes të madh në media dhe në mesin e fansave të saj në mbarë botën. Të gjithë presin me padurim më shumë informacion dhe i urojnë shëndet dhe lumturi familjes./abcnews.al