Giresse: Një ndeshje nuk i ngjan tjetrës, jemi përgatitur maksimalisht për fitore ndaj Greqisë

schedule18:25 - 4 Qershor, 2022

schedule 18:25 - 4 Qershor, 2022

Kosova e nisi me këmbën e mbarë Nations League, pasi në ndeshjen e parë arriti të siguronte 3 pikë të rëndësishme, teksa mposhti me shifrat 2-0 skuadrën e Qipros.

Menjëherë pas fitores, përfaqësuesja e Kosovës është përqendruar te sfida e rradhës me Greqinë, takim që do të luhet në “Fadil Vokrri”.

Në konferencën për shtyp për të folur për këtë përballje ishte trajneri i dardanëve, Allain Giresse, i cili deklaroi se skuadra e tij është përgatitur maksimalisht për të marrë një tjetër fitore.

Si po e përgatisni ndeshjen ndaj Greqisë, një kundërshtar që ka marrë maksimumin këtu, edhe pse nuk ka luajtur shumë mirë? Nuk do t’u referohem ndeshjeve të kaluara, pasi ato kanë përfunduar tashmë. E kemi nisur këtë fushatë me një rezultat pozitiv kundër Qipros dhe kemi studiuar Greqinë si ka luajtur ndaj Irlandës së Veriut. Besoj se jemi gati të provojmë të paraqitemi me një stil dominues në lojë, ashtu si ndaj Qipros, por natyrisht që nuk mund të jap detaje mbi formacionin.

Katër lojtarë të Kosovës rrezikojnë mungesën, nëse ndëshkohen ndaj Greqisë… – Janë katër lojtarë që janë pjesë e ekipit bazë dhe mund të luajnë edhe pse kemi karton të verdhë. Nuk do ta prishim strukturën e ekipit, vetëm pse 4 lojtarë kanë marrë kartonë të verdhë. Kemi folur me lojtarët dhe natyrisht i kemi porositur që të mundohen të shmangin një tjetër karton, duke qenë se na presin të tjera ndeshje të rëndësishme.

A i druheni një tjetër paraqitjeje si ajo në pjesën e parë ndaj Qipros? Një ndeshje nuk i ngjan kurrë tjetrës dhe nëse shohim atë ndaj Qipros, padyshim që duhet të bëjmë shumë më mirë, pasi në pjesën e parë ndaj tyre gabuam shumë. Vuajtëm teknikisht dhe në mënyrën si organizuam manovrën sulmuese, por në pjesën e dytë u përmirësuam dhe shënuam dy herë. Pjesa e dytë ndaj Qipros nxjerr më mirë në pah kualitetin tonë dhe atë që presim nga ekipi. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!