Marco Giampaolo ka folur për herë të parë si trajner i Milanit. Tekniku i kuqezinjve premton lojë sulmuese dhe argëtuese për tifozët.
Drejtuesit e skuadrës së Milanit po punojnë për të ndërtuar një skuadër të denje për të konkurruar sezonin e ardhshëm. Zyrtarizimi i trajnerit Marco Giampaolo është një sinjal i qartë se kuqezinjtë do të pësojnë një ndryshim radikal në mënyrën e të luajturit. Ish-tekniku i Sampdorias ka folur për herë të parë si trajneri i Milanit ku premton lojë sulmuese.
“Kam punuar shumë për të drejtuar një skuadër të madhe. Milani është një ndër klubet më të mëdha në Europë dhe për mua është një shans i madh. Do të jetë një rrugëtim i gjatë dhe i suksesshëm. Historia e kësaj skuadra flet edhe për lojën e bukur përtej rezultatit. Milani ka arritur rezultate falë një loje të bukur sepse kjo është kultura e këtij ekipi. Skuadra ka fituar trofe duke krijuar lojë sulmuese. Misioni im është të luaj futboll atraktiv dhe më pas të fitojmë. Jam në klubin e duhur për të kompletuar këtë objektiv. Futbolli italian ka qenë konkurrues vitet e fundit. Sezonin aktual janë rikthyer në Itali Conte dhe Sarri”, tha ai.
Sa i përket dyshes drejtuese të Milanit Boban-Maldini, Giampaolo tha:
“Më kanë impresionuar me seriozitetin e tyre. Maldini dhe Boban të bëjnë të kuptosh se çfarë do të thotë Milan, të stervisësh ose të jesh pjesë e ketij klubi. Historia e tyre tregon shumë”.
Skuadra e Milanit synon të rikthehet në nivelet e larta dhe konkurruese në futbollin Italian. Dështimi për t’u kualifikuar në Champions rëndoi në financat e klubit dhe merkatoja pritet të zhvillohet pa shumë shpenzime të bujshme./ABC News Albania 24/7