Analisti Gëzim Podgorica ka deklaruar në studion e ABC në bisedë me gazetarin Endri Xhafo se Shqipëria duhet të dënojë krimet serbe duke marrë përsipër riskun e ngrirjes së marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se Vjosa Osmani kërkoi një qasje tjetër ndaj Kosovës duke theksuar se nuk u prit si liderët e tjerë kosovarë gjatë vizitës në Tiranë.
“Vjosa Osmani erdhi në mes të Tiranës dhe tha se duhet një qasje tjetër. Dhe nuk u prit me duartrokitjet që janë pritur përfaqësuesit e tjerë. Trau është një pikë kalimi si ndodh në shumë vende. Çështja e dënimit të krimeve serbe jep përgjigje edhe për atë që po ndodh sot në Kosovë. Maxhoranca aktuale ka tërheqjen dhe ngre komisione për Dick Martyt që është krejt ndryshe nga dënimi i krimeve te Serbisë.
Ne vërtetë themi që UÇK ka bërë një luftë të drejtë por për ta ndihmuar realisht duhet të vendosim simetrinë. Çështja e rezolutave nuk është se e zgjidh problemin. Ky moment e sjell në vëmendje që dënimi krimeve serbe mund të ngrijë marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë. Por Shqipëria duhet ta ndërmarrë këtë gjë dhe duhet ta bëjë”, u shpreh Podgorica.
Ai deklaroi se zgjedhjet në Kosovë janë domosdoshmëri sepse çdo kalkulim që bëhet tani për një emër në postin e presidentit është i shtrënguar dhe artificial.
“Zgjedhjet në Kosovë tashmë janë domosdoshmëri sepse çdo kalkulim që bëhet është i shtrënguar dhe artificial. Unë besoj që do të ketë ndryshime. PDK e cila është më e goditura do të ketë një reformim. Dhe duke pasur Vetëvendosjen, listën e zonjës Osmani dhe ndryshim të PDK Kosova do të kishte një qasje tjetër. Edhe rënia e qeverisë Kurti ishte e nxitur dhe solli një qeveri që u rakordua përmes numrave. Një qeveri shumë e imponuar”, shtoi ai./mv.abcnews.al