Gerxhaliu: Epoka e Trump ka filluar, në Kosovë duhet të bashkëveprojnë. Hyseni: Çdo zgjidhje atje, do implikojë dhe shtetet e tjera

schedule17:16 - 11 Nëntor, 2024

schedule 17:16 - 11 Nëntor, 2024

Eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu dhe analisti Blerim Hyseni kanë diskutuar në emisionin “Ballkan Update” për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe ndikimin në Ballkan.

Sipas Gerxhaliut, Kosova është përpara sfidave të shumta dhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti tregojnë një frikë, megjithatë duhet të pajtohen me realitetin dhe fillimin e epokës Trump, si pasojë dhe duhet të bashkëveprojnë.

Ai ka theksuar se marrëveshja e Uashingtonit është një plan i mirëfilltë për zhvillimin e rajonit.

Ndërsa, sipas Hysenit, situata në SHBA ka bërë një lëmsh në politikën shqiptare, megjithatë me rëndësi është çështja e Kosovës dhe zgjidhja e zhvillimeve politike atje.

“Duhet të kuptohet që Kosova është përpara sfidave të shumta, jo vetëm ekonomike, politike, por dhe sociale. Vetë fakti që kemi hyrë në një kampanjë zgjedhore, e dëshmon vetë faktin që asgjë nuk është më ekonomike, por politike dhe në këtë drejtim, deklaratat e zotit Kurti e tregojnë një frikë. Mirëpo, duhet të mjaftohemi me realitetin që epoka e zotit Trump ka filluar në këtë 4-vjeçar dhe duhet të pajtohemi dhe të bashkëveprojmë. Është e vërtetë që janë bërë gabime të shumtë në hapa”, tha Gerxhaliu.

“Unë mendoj që është një lëmsh në politikën shqiptare, sa i përket qasjes në SHBA. Në Maqedoni situata nuk është për t’u lavdëruar. Partitë që bëjnë politika nacionaliste, e kanë mirëpritur zgjedhjen e zotit Trump si president, nga ana tjetër shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e politikave të cilat nuk kanë një vizion të qartë se ku duan të arrijnë. Megjithatë, kyçi i zgjidhjes do të jetë çështja e Kosovës dhe zhvillimet politike atje, për shkak se çdo zgjidhje në Kosovë, sigurisht që do të implikojë dhe shtetet e tjera. Sidomos çështjen që ka të bëjë me shkëmbimet e territoreve. E kam fjalën që kjo ide do të implikojë shtetet e tjera, ndër to dhe Maqedoninë”, u shpreh Hyseni./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!