Gërvalla optimiste për anëtarësim në KiE: Kosova ka siguruar votat

schedule13:35 - 7 Prill, 2023

schedule 13:35 - 7 Prill, 2023

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është shprehur optimiste për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, brenda disa muajve. Ajo ka thënë se votat për anëtarësim i kanë siguruar dhe nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë që aplikacioni i Kosovës të kalojë nga Komiteti i Ministrave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kryediplomatja kosovare gjatë raportimit të premten në Komisionin parlamentar për punë të jashtme, tha se janë duke punuar intensivisht përforcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe sigurimin e njohjeve të reja.

“Në Këshillin e Evropës që nga maji i vitit 2022 kur kemi dorëzuar kërkesën tonë ka pasur lëvizje lidhur me kërkesën tonë. Është një opinion ligjor që është prezantuar në tetor të vitit të kaluar, i cili ka hequr dilemat rreth asaj se a shkel rregullat e brendshme të KiE aplikimi ynë. Ka pasur një raportim që është kërkuar nga Komiteti Ministror i cili në Strasburg përfaqësohet nga ambasadorët e shteteve anëtare për të drejtat e njeriut në Kosovë, i cili po ashtu ka qenë pozitiv për ne. Ka pasur konsultime të ndryshme të Presidencës së Këshillit të Evropës me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe shtetet jo njohëse. Çfarë ka ndodhur ndërkohë është se askush nuk ka dilemë që votat i kemi të siguruara, kjo ka qenë sfida kryesore që partnerët tanë kanë menduar se do të jetë më e madhja, sigurimi i votave të nevojshme për të pranuar kërkesën tonë. Votat janë siguruar dhe unë mendoj që nuk duhet të kalojë edhe shumë kohë, pasi janë shterur të gjitha procedurat për të kaluar kërkesën tonë nga Komiteti Ministror tek Asambleja Parlamentare e KiE”, tha ajo.

Madje, ministrja Gërvalla tha se pret që Greqia shumë shpejtë të lëvizë drejtë njohjes së Kosovës.

Ndërkohë, theksoi se gjitha pretendimet e Serbisë për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës po demantohen një nga një.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ngriti si shqetësim që ambasadat e Kosovës nëpër vendet perëndimore janë shndërruar në ambasada biznesi me dokumente personale, si dhe më shërbime që ofrojnë për azilantët që sipas tij, rrejshëm kërkojnë azil politik.

Por këto i mohoi ministrja Gërvalla, e cila tha ambasadat nuk merren me biznes, por me nxitje të bizneseve të huaja për të rritur numrin e investimeve të huaja në Kosovë.

Kjo nxiti më shumë tensione në mbledhjen e komisionit, ku deputeti Haliti insistonte në marrjen e sërishme të fjalës, pasi sipas tij, ministrja po i paraqet si të arritura të paarriturat.

Polemika ndërmjet ministres dhe deputetëve opozitarë pati edhe kur deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e pyeti për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ministrja Gërvalla tha se gjitha raportimet për ambasadorin Berishaj janë të pavërteta, derisa akuzoi opozitë se po bënë fushatë të paparë kundër tij.

Krahas këtyre, ministrja Gërvalla tha para deputetëve se fokusi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në NATO./KosovaPress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!