Gërdeci/ Shkëlzen Berisha flet pas dëshmisë në GJKKO: Teatër politik. Në mëngjes thirret djali, në drekë gjykohet babai

schedule10:11 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 10:11 - 27 Dhjetor, 2023

Shkëlzen Berisha ka folur pas daljes nga GJKKO, ku është marrë në pyetje lidhur me çështjen Gërdeci. Ai tha për mediat se nuk ka asnjë dijeni se kush e ka dërguar faksin me mbishkrimin “për Shkëlzen Berishën”, duke shtuar se është detyrë e prokurorisë ta gjejë nëse është i vërtetë apo i fabrikuar.

“Kam thënë që ky faks as nuk është nisur nga adresa ime, as nuk ka mbërritur në adresën time, dhe as nuk njoh atë që ka nisur e pritur. I takon Prokurorisë të na thotë nës faksi është origjinal apo i falsifikuar. Nëse është origjinal duhet ta thotë kush e ka shkruar dhe nëse është i falsifikuar, ta thotë kush e ka bërë. Qoftë Bumçin dhe Mediun, i kam miq përpara se të kishin funksione ministri, i kam pasur gjatë kohës që kanë qenë ministria dhe sot që nuk kanë më këtë funksion.”, tha ai.

Ai e cilësoi thirrjen e tij në gjykatë si një teatër politik.

“Nëse tragjedia është hetuar siç duhet, nuk jam as gjykatës dhe as prokuror që ta them. Por ajo që mund të them është se politizimi i tejskajshëm i kësaj çështjeje nuk e ka ndihmuar të vërtetën. Thirrja sikurse e patë, janë thirrur 71 dëshmitarë, të cilët ndahen në tre kategori. Janë familjarë, ose punonjës të shtetit, ose kompanisë që kanë pasur lidhej me procesin e demontimit. Unë jam i vetmi dëshmitar që s’kam lidhje me këto tre kategori. Kam thënë që dëshmia ime një vit më parë s’ka asnjë lidhje me akuzën. Asgjë ato që thanë s’ka lidhje me akuzën, thirrjen time në këtë proces e konsideroj, duke qenë se s’kam asnjë informacion që mund t’i shërbejë akuzës, teatër politik. Në mëngjes thirret djali, në drekë gjykohet babi, në darkë ekzekutohet masa e sigurisë.”, shtoi Shkëlzen Berisha.

Sa i përket kërkesës së SPAK për të vënë në arrest shtëpie babain e tij, ai e konsideroi si një përdorim politik të drejtësisë në nivele groteske.

“Ky vendim është grotesk. Përdorimi politik i prokurorisë ka kapur nivele groteske. Më thoni një vend demokratik që lideri i opozitës mbahet në “arrest shtëpie”, pa të drejtë komunikimi ndërkohë që nuk ka akuzë. Donald Trump ka 34 akuza dhe nuk ka asnjë masë sigurie. Sali Berisha nuk ka akuzë dhe ndaj tij janë caktuar tre masa sigurie, duke e çuar në “Arrest shtëpie” dhe duke i ndaluar çdo lloj komunikimi.Qëllimi politik është i qartë dhe përdorimi i prokurorisë është i turpshëm”, tha Shkëlzen Berisha.

Shkëlzen Berisha u paraqit këtë të mërkurë në GJKKO pasi u thirr që të dëshmojë lidhur me faksin që Aldo Bumçi i ka dërguar atëherë ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu me shënimin “për Shkëlzen Berishën”. Ai refuzoi të paraqitet në gjykatë seancën e 14 dhjetorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!