Ndryshimet Kushtetuese të 2008 , Shkëlqim Hajdari thotë se janë bërë 2 ditë pasi ka ndodhur tragjedia e Gërdecit dhe sipas tij kanë përmbysur demokracinë në Shqipëri. Në emisionin “Log.” në ABC me Endri Xhafon, Hajdari foli dhe për zgjatjen e afateve të vetingut dhe vetingun në politikë.
“ S’ka pse të shtyhet vetingu. Ndërkombëtarët në Shqipëri kanë fjetur gjumë kur u bënë ndryshimet. A ka pasur prononcim nga amerikanët…etj? Me 15 mars të viti 2008 ka ndodhur një shpërthim në Gërdec, janë vrarë shumë persona, e ka ndodhur gjithë ai dëm. Pa i bërë të 40 dite është ndryshuar Kushtetuta. Ka pasur dhe një komision në atë kohë. Ndryshimet kushtetuese kanë ndodhur 2 ditë pas Gërdecit dhe kanë përmbysur të gjithë demokracinë në Shqipëri. Ndërkombëtarët janë në Shqipëri për të ndihmuar por kjo s’do të thotë se kanë të drejtë. Megjithë respektin për komisionet e vetingut vetë nga maxhoranca kanë dalë zëra se s’janë të kënaqur me punën e vetingut. Unë kam bërë gjyqe gjithë jetën. Kam qenë nja 7 vjet drejtues prokurorie. 1 gjyq një javë një trupë e KPK duhet ta bënte, prandaj është i pakënaqur edhe Xhafaj. Kushtetuta thotë se nëse procesi i vetingut nuk ka mbaruar kompetencat i merr KLP dhe KLGJ. Unë në parim s’jam as kundër vetingut në politikë por rruga që ka zgjedhur PD nuk është kjo”, tha Hajdari.
Duke folur për takimin e ambasadores amerikane Yuri Kim me kreun e Grupit parlamentar të PS dhe të PD për ndryshimet Kushtetuese, deputeti Myslim Murrizi tha se 3 kërkesat e Partisë Demokratike s’kanë lidhje me kërkesën e Partisë Socialiste për zgjatjen e vetingut.
“Unë s’e di ku e sheh Kim se nuk janë ulur palët, palët janë ulur që në 90. Shtyrja e organeve të vetingut dhe 3 kërkesat që kërkon PD s’kanë të bëjnë fare me njëra tjetrën . Kushtetuta 8 herë është ndryshuar për interesa të 2 individëve dhe 2 herë se kanë bërtitur ndërkombëtarët”, tha ai.
Ndërsa Hajdari tha se ndryshimet në Kushtetutë s’mund të bëhet me “çuna të rinj” por me njerëz të mençur. Me ndryshimet e 2008 Hajdari përsërit se sipas tij i “është bërë gjëma vendi”. Sakaq ka edhe një thirrje për ambasadoren.
“I bëj thirrje Kim dhe Soreca që ti bëjnë thirrje politikës për të bërë reformë Kushtetuese. Nuk mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, 20 çunat e PD, çuna të rinj, nuk bëhet kështu kjo punë se janë duke u bërë qesharak. Ndryshimet Kushtetuese duan burra të mençur. Që kur ka ndryshuar kushtetuta në 2008 koka ime s’ka pushuar asnjëherë për të thënë se çfarë gjëme i bëmë vendit. Zoti Bamir Topi ka qenë nga politikanët që i ka kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, por ka pasur dhe disa burra që s’janë sot në politikë dhe kanë votuar kundër”. be.k/abcnews.al