“Gërdeci”, Mediu në gjykatë: Do të doja të zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam forcë. Të zhvillohet një proces i drejtë ligjor

schedule12:10 - 30 Nëntor, 2023

schedule 12:10 - 30 Nëntor, 2023

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu u paraqit ditën e sotme në seancën që u zhvillua për çështjen e Gërdecit.

Në deklaratën e tij në gjykatë, Fatmir Mediu teksa ka shpjeguar pozicionin e tij, ka theksuar se do të donte ta zhbënte atë që ndodhi, por tashmë nuk ka asnjë forcë. Ndërsa shton se nxitja për ta hapur këtë çështje nuk duhet të jetë aspak politik duke kërkuar që të zhvillohet një proces i drejtë ligjor.

“Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur. Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jetën time dhe të familjes sime. Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore. Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec, përsëri si ministër i mbrojtjes, unë kam njohur dhe kam pranuar dje dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi. Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes.

Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen. Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi. Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.

Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit. Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut. Dua  të besoj se nxitja për ta rihapur këtë çështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces. Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajë të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin”, ka deklaruar Mediu në sallën e gjyqit.

Fjala e plotë e Fatmir Mediut në gjykatë:

Shpjegime në seancën e GJKKO, datë 30.11.2023

E nderuar zonja gjyqtare,

(1)

Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht.

Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur.

Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jeten time dhe të familjes sime.

Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore.

Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec, përsëri si ministër i mbrojtes, unë kam njohur dhe kam pranuar dje dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi.

Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes.

Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj.

Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen.

Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi.

Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre.

E për ta, shteti në këtë rast është Ministri.

Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam cfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, vecse tju shprehë edhe njëherë,  keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për cfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit.

(2)

E nderuara Zonja gjyqtare,

Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte.

Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.

Është plotësisht e qartë që rihapja e çështjes penale në ngarkimin tim dhe më shumë akoma vazhdimi i këtij gjykimi, është haptazi në kundërshtim me Kodin Penal dhe atë Procedural Penal, me Kushtetutën e RSH, si dhe me Konventën Europiane për Liritë dhe të Drejtat Themelore të Njeriut.

Dua  të besoj se nxitja për ta rihapur këtë cështje dhe për ta vazhduar gjykimin, nuk është politike dhe se ju nuk keni apo mbështesni interesa politike në këtë proces.

Si prokuror dhe gjyqtar, është e qartë që juve nuk ju mungon aftësia profesionale dhe dija për ligjin penal e më gjerë. Ndaj mbetet të keni kurajo të respektoni strikt ligjin dhe vetëm ligjin.

(3)

E nderuar zonja gjyqtare,

më lejoni tju parashtroj sa më poshtë:

Neni 66 i Kodit Penal parashikon se nuk mundet të ushtrohet ndjekja penale nëse nga dita që është kryer vepra, deri në ditën që personi merret i pandehur, kanë kaluar 10 vjet,  për rastin e veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Cila është baza ligjore që i ka dhënë të drejtën prokurorisë të ngrejë akuzë ndaj meje, pasi kanë kaluar më shumë se 10 vjet nga 15 marsi i vitit 2008, momenti kur mendohet të jetë kryer vepra penale?

Cili nen i Kodit Penal parashikon pezullimin e parashkrimit të ndjekjes penale?

Kodi Penal nuk parashikon gjithashtu as pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit.

Gjykata e Lartë me vendim unifikues nr.1, datë 28.10.2022, ka konfirmuar përcaktimin e Kodit Penal, sipas të cilit nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzukutimit të vendimit penal.

Kur nuk ka pezullim të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, për të dënuar, që i largohen dhe  i fshihen drejtësisë, si mundet të ketë pezullim të parashkrimit të ndjekjes penale për një individ i cili nuk është hetuar për mbi 10 vjet dhe që prezumohet i pafajshëm?!!!

Cfarë e ka penguar prokurorinë të rihapi cështjen ndaj meje, të rihetoj, të ngrejë akuzë, nga vitit 2009 deri në vitin 2022?

Unë këtu kam qënë, nuk jam fshehur, nuk i jam shmangur ndonjë hetimi të mundshëm?!!!

Për më shumë se 15 vjet unë nuk jam pyetur pothuaj asnjëherë.

Jo vetëm kaq por kam këmbëngulur që Gjykata e Lartë në gjykimin e vitit 2009 të vazhdojë gjykimin?!!!!

I kam kërkuar Prokurorisë së Përgjithëshme  të tërheqë aktet dhe të kërkojë në Kuvend riheqjen e imunitetit.

Prokuroria e Përgjithëshme nuk e bëri këtë dhe rrjedhimisht Gjykata e Lartë vendosi pushimin e gjykimit me gjithë kërkesën time për ta vazhduar atë.

Çfarë provash, apo rrethanash të reja janë shfaqur edhe pasi ka kaluar afati 10 vjecar i parashkrimit, që e shtynë  prokurorinë/SPAK të rihapë këtë proces?

Asnjë prove, asnjë e dhënë e re.

Për më tepër edhe në këto dy vite gjoja hetim, prokuroria/SPAK nuk shtoi absolutisht asgjë më shumë nga sa përmban hetimi i vitit 2008-2009.

Në vendimin për të rihapur procesin dhe për të dërguar cështjen në gjyq, nuk është respektuar as vendimi i Gjykatës së Lartë nr. 1106, datë 21.12.2021.

Në paragrafin 23 të këtij vendimi përcaktohet qartazi, se në momentin e disponimit përfundimtar të prokurorit për ushtrimin e ndjekjes penale dhe dërgimin e çështjes në gjyq, do të vlerësohen afatet e parashikuara në nenin 66 të Kodit Penal (PARASHKRIMI).

As prokurori nuk e bëri këtë, por as edhe ju si gjykatë nuk po e bëni?

Mund të më thoni i nderuar prokuror se nga ku buron kurajoja juaj për të injoruar në mënyrë flagrante Kodin Penal për parashkrimin, për të injoruar vendimet e Gjykatës së Lartë, por edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për këtë institut penal?!!!

Denoncimi i paligjshmërisë së hapjes së procesit nuk ka si qëllim për tju shmangur gjykimit.

Por rihapja e kësaj çështje në kundërshtim flagrant me ligjin është tregues i mungesës së garancive për një proces të drejtë ligjor nga ana juaj.

(4)

Ju e nderuara zonja gjyqtare keni vendosur që për parashkrimin të shpreheni në fund të këtij gjykimi edhe pse personalisht kam bindjen se kishit arsye të plota ligjore për tu shprehur në momentin e paraqitjes së kërkesës nga ana ime.

Duke vendosur për vazhdimin e gjykimit, e gjej të pajustifikuar vendimin tuaj për  të refuzuar kërkesën time për të thirrur si dëshmitar në këtë proces, autoritete, ish Këshilltarin për Sigurinë të Presidentit Amerikan dhe ish Komandant Supreme i NATOs, Zv/Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Ministri Gjerman apo ai Italian, te cilët kishin vetëm një interes të vinin për të dëshmuar të vërtetën, se kush është roli i Ministrit Civil të mbrojtjes, përgjegjësitë dhe roli ushtraka në demontim, sepse kanë qënë këta Amerikan që na bëbë anëtar rë NATOs na mësuan se cështë NatO, si transformohen FA, na shkruajtën ligje, strategji, VKM, direktiva e urdhëra, plane si bëhet administrimi i municioneve dhe kush e bën atë, na financuan dhe kompanizë e vëndeve të tyre bën demontimi,. dëshmia ebtyre  lidhet direkt me funksionin dhe detyrën, për të cilën unë akuzohem se e kam shpërdoruar.

Nga ana tjetër është po ashtu i pajustifikuar vendimi juaj  që, për akuzën e shpërdorimit të detyrës të një ministri, të pranoni si dëshmitarë persona që nuk kanë se cfarë të dëshmojnë për këtë, si p.sh, punonjësit e thjeshtë, rojet e fabrikës, etj.

Ekspertët e ekipeve amerikane, komandatë e gjeneralë të NATO-s dhe autoritete të tjera të huaja, për të cilët kërkova të dëshmojnë në proces, kanë qënë të atashuar pranë Ministrisë së Mbrojtjes për rreth 14 vjet, Pemtagoni ka dhe sot përfaëqsinë e vet brenda në Ministri, na kanë asistuar për reformat në Forcat e Armatosura, ku përfshihet edhe përcaktimi i detyrave të një ministri mbrojtje si strukturë civile në raport me përgjegjësit teknike të Forcave të Armatosura.

Një pjesë e tyre kanë qënë mbështetësit kryesor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, na kanë asistuar në procesin e demontimit si një nga kushtet për këtë anëtarsim.

(5)

E nderuara zonja gjyqtare,

Edhe vetëm një lexim formal i akuzës, i pa konfrontuar me asnjë lloj prove, tregon qartë se sa e pathemeltë është kjo akuzë.

Unë akuzohem se kam shpërdoruar detyrën. Pra kam kryer, ose nuk kam kryer veprime në kundërshtim me detyrën e ministrit duke sjellë pasoja të dëmshme, apo përfitime për vete, apo të tretë të tjerë.

Nuk ka nevojë të jesh jurist për të kuptuar se faktet të cilat prokuroria i cilëson si shpërdorim të detyrës nga ana e ministrit, nuk kanë të bëjnë aspak me detyrën e tij.

Sipas akuzës Ministri ka zgjedhur kompaninë SAC.

Procedurat i caktojë Vendimi i Këshillit të Ministrave, nuk është dhe nuk mund të ishte atribut i ministrit përzgjedhja e kompanisë.

Sipas akuzës, Ministri është përgjegjës që kompania:

nuk kishte leje mjedisore;

nuk ishte rregjistruar në zyrën e taksave dhe tatimeve;

Çfarë lidhje kanë këto me detyrën e Ministrit të Mbrojtjes?

Sipas akuzës, është bërë demontimi i municioneveashtuquajtura “kalibër i madh”. – Çfarë lidhje ka detyra e ministrit me përcaktimin e kalibrave të municioneve?!!!!!!

Sipas akuzës, si shkak i shpërthimit është përcaktuar një pakujdesi e një punonjësi që ka salduar një karrocë. – Nëse është kështu, atëhere çfarë lidhje ka urdhëri i ministrit me shkakun e shpërthimit?!

Nëse nuk do të kishte ndodhur saldimi i karrocës, të cilin prokuroria e përcakton si shkak të ndezjes së barutit, a do të ishte marrë ministri, apo edhe persona të tjerë në përgjegjësi penale?

Sipas akuzës ministri ka caktuar Gërdecin si vend për demontimin e municioneve.

Në fakt përcaktimi i vendit të demontimit nuk është bërë dhe nuk kishte si të bëhej nga ministri. Ministri as e dinte dhe as ka qënë në Gerdec, as nuk e ka detyrë e njohje të percaktojë rregullat se ku dhe si behet demontimi.

Eshte katërcipërisht e provuar që Gërdeci ishte në dijeni dhe kontroll të  plotë Forcave të Armatosura, para, gjatë dhe mbas daljes së urdhërave.

Sipas akuzës, urdhërat e ministrit janë të paligjshëm, por nuk shpjegohet se përse?

A ishin urdhërat e ministrit shkaku i shpërthimit?

Nëse prezumojmë se po, cila është ajo pjesë e urdhërit që ka krijuar kushtet për shkakun e shpërthimit?!!!!

Sipas akuzës ministri ka shmangur ushtarakët, Forcat e Armatosura!!!

Cdo shkresë që i ka ardhur Ministrit ja dërguar për mendim Autoriteteve më të larta ushtarake dhe civile dhe ka ndjekur vetëm sugjerimet dhe aktet e përgatitura prej tyre pa i ndërhyrë asnjë moment.

Çfarë ka në përmbajtjen e urdhërave të ministrit, që të kenë penguar strukturat ushtarake të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në lidhje me procesin e demontimit të municioneve, sikurse përcaktohet në aktet ligjore dhe nëligjore përkatëse?!!!

Forcat e Armatosura si strukturë e vecantë veprojnë me ligjin 9210/2004 i cili përcakton qartë veprimet dhe qëndrimet me urdhërat, po ashtu kanë një rregullore të jetës brëndshme të ushtrisë që prej viti 1993, e cila detajon këto veprime, në rast të urdhërave të paqartë apo të paligjshëm.

Nuk ka asnjë dokument, njoftim apo shqetësim, me shkresë apo me gojë, të ngritur tek ministri nga strukturat civile dhe ushtarake në lidhje me procesin e demontimit në Gërdec, përkundrazi kanë deklaruar, se ishte teknologjia më e mirë dhe perfekte.

Se sa e pathemeltë është sot më shumë se dje akuza ndaj meje e tregon fakti se unë akuzohem se veprën penale të shpërdorimit të detyrës e kam kryer në bashkëpunim me persona, të cilët në fakt me vendim përfundimtar dhe të formës së prerë janë shpallur gjyqësisht të pafajshëm!!!!

Është prurë një akuzë në gjykatë pa vlerësuar vendimet e 3 shkallëve të gjyqësorit për Gërdecin, duke injoruar këto vendime, sic është bërë dhe me vendimet e Gjykatës në 2018, vendimet e vitit 2019, të cilat kanë marë formë përfundimtare 2019 për të njëjtat arsye që prokuroria hapi cëahtjen.

Se sa e pathemeltë, por edhe se sa jo serioze, është akuza ndaj meje e tregon në mënyrë domethënëse fakti vijues.

Unë akuzohem se kam shkelur Ligjin për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2009, ndërkohë që ngjarja e Gërdecit ka ndodhur në 15 Mars 2008 dhe unë kam dhënë dorëheqjen si ministër 3 ditë më pas!!!!!

Prokuroria ka bërë të gjitha hetimet për të parë nëse ministri ka qënë i përfshirë në ndonjë përfitim financiar.

Hetimi ka provuar katërcipërisht se unë si ministër jam i papërfshirë  në veprimtari korruptive për përfitim financiar të paligjshëm për vete, apo për persona të tjerë të lidhur me mua.

Përndryshe nëse ministri nuk është i përfshirë në korrupsion (e provuar kjo edhe nga vetë prokuroria), atëhere cila është përgjegjësia e ministrit?

(6)

E nderuar zonja gjyqtare,

Nëse dikush mendon se, vetëm dënimi me çdo çmim e me çdo kusht i ish-ministrit, do të jetë vendosja e “drejtësisë” për cështjen e Gërdecit, e ka gabim shumë.

Drejtësia nuk është statistikë.

Nëse unë do të isha shkaktari i pasojave të asaj ngjarjeje, nuk më mungon kurajoja dhe guximi për të pranuar fajin.

E kuptoj se kjo ngjarje për shkak të viktimave dhe efektit mediatik mund të ndikojë edhe tek ju, si njeri dhe si nënë. Por Ju si gjyqtare duhet të dilni mbi këtë, të tejkaloni emocionin që shkakton ngjarja, ta shihni çështjen ftohtë e vetëm në kuadrin ligjor të saj, të vendosni në pozita të barabarta mua, prokurorin dhe familjarët, nëpërmjet një procesi ligjor dhe të paanshëm.

Jam i sigurtë në pafajësinë time dhe një proces i drejtë dhe i ndershëm do ta provojë këtë. Ju falenderoj zonja gjyqtare që më dhatë kohën e nevojshme që të bëj këtë shpjegim”, mbyll fjalë e tij ish-ministri i Mbrojtjes.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre si edhe shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak.

Ka dyshime se Mediu në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona të tjerë, ka nxjerrë akte nën ligjore në kundërshtim me ligjin.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!