“Gërdeci”, dëshmon ish ushtaraku: Ditën e shpërthimit pati tym të bardhë që vinte nga djegia e barutit

schedule15:21 - 27 Tetor, 2023

schedule 15:21 - 27 Tetor, 2023

Zabit Cuku, ish ushtaraku i cili punonte në fabrikën e demontimit të armëve, ka dëshmuar në procesin ndaj ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me dosjen “Gërdeci’.

Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se Cuka ka deklaruar se ditën e shpërthimit, pa fillimisht tym të bardhë, që sipas tij vinte nga djegia e barutit.

Cuka tregoi se në vendin e punës, kishte zjarrfikëse që perdoreshin për fikjen e zjarrit.

Seanca është ndërprerë për shkak se avokati mbrojtës i Mediut, Ardian Visha shkoi në një seancë në Apelin e Posaçëm për të përfaqësuar Arben Ahmetajn që kërkon heqjen e sekuestros së një llogarie bankare.

“Ditën e sotme, prokuroria ka thirrur 8 dëshmitarë të cilët janë duke dhënë sqarime përballë gjykatës dhe avokatit mbrojtës të zotit Mediu, Ardian Visha. Deri më tani janë 4 dëshmitarë që kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe priten edhe 4 të tjerë. Mes personave, kryesisht ishin punëtorë apo punonjës që merrnin pjesë në demontimin e armëve, kanë treguar mënyrën sesi kryhej procesi dhe sesi janë punësuar. Ndër më të rëndësishmit ka qenë Zabit Cuku, ky i fundit ka qenë në cilësinë e ish ushtarakut në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Instruktonte sesi duhej bërë demontimi i këtyre predhave, teksa ka treguar përballë gjykatës, edhe momentet e para sesi e ka mësuar për shpërthimin.

Ai ka qenë 20-30 metra larg vendit ku ndodhi shpërthimi. Ka parë tym të bardhë, për të cilën kishte dyshime se ka ardhur nga zjarrvënia e barutit. Ai ka treguar se në momentin e shpërthimit të dytë, në largim e sipër, një predhë i ka rënë në kokë, ka rënë në tokë dhe ka thyer këmbën. Ai tregoi se kushtet e punët nuk kanë qenë më të mirat. Sipas tij, shkak mund të ketë qenë ndezja e zjarrit brenda ku demontoheshin armët dhe më pas, shpërthimi i dytë, nga sasia e madhe e barutit”, raportoi gazetari Vija./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!