George Soros: Pushtimi i Ukrainës është fillimi i Luftës së Tretë Botërore?

schedule10:57 - 18 Mars, 2022

schedule 10:57 - 18 Mars, 2022

Nga George Soros

Pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt ishte fillimi i një Lufte të Tretë Botërore që ka potencialin të shkatërrojë qytetërimin tonë. Pushtimi i parapriu një takimi të gjatë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping më 4 shkurt – fillimi i festimeve të Vitit të Ri Hënor Kinez dhe Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.

Në fund të atij takimi, të dy udhëheqësit publikuan një dokument prej 5000 fjalësh, të hartuar me kujdes, që njoftonte një partneritet të ngushtë midis dy vendeve të tyre. Dokumenti është më i fuqishëm se çdo traktat.

Xi i dha Putinit dritën jeshile për të pushtuar Ukrainën. Duke përqendruar të gjithë pushtetin në duart e tij, Xi ka shkruar me kujdes skenarin, në  të cilin pret që të fuqizohet në nivelin e Mao Ce Dunit dhe Deng Xiaoping.

Pasi mori mbështetjen e Xi, Putin filloi të realizonte ëndrrën e tij. Putin mendon se ky është pikërisht momenti për të lënë gjurmë në historinë ruse.

Por koncepti i tij për pozicionimin e Rusisë në botë është transformuar. Ai beson se populli rus ka nevojë për një car të cilin ata do ta besojnë verbërisht. Kjo është e kundërta e një shoqërie demokratike dhe është një vizion që shtrembëron “shpirtin” rus, i cili është shumë emocional.

Si fëmijë, kam pasur shumë takime me ushtarët rusë kur ata pushtuan Hungarinë në vitin 1945. Ata ndanin copën e fundit të bukës me të gjithë. Më vonë, në fillim të viteve 1980, u futa në atë që unë e quaj filantropia politike.

Fillimisht, themelova një fondacion në Hungari, në vendin tim të lindjes dhe më pas mora pjesë në shpërbërjen e perandorisë sovjetike. Kur Mikhail Gorbachev erdhi në pushtet në 1985, shpërbërja kishte filluar tashmë. Unë themelova një fondacion në Rusi dhe më pas bëra të njëjtën gjë në secilin prej shteteve pasardhëse. Në Ukrainë, themelova një fondacion edhe para se të bëhej një vend i pavarur.

Kam vizituar edhe Kinën në vitin 1984, i pari person nga vendet e huaja që mu lejua të krijoja një fondacion (të cilin e mbylla në 1989, pak para masakrës së Tiananmen). Unë nuk e njoh personalisht Putinin, por kam parë nga afër fuqizimin e tij.  Ai e shkatërroi kryeqytetin e Çeçenisë, Grozny-n, ashtu siç po kërcënon të bëjë aktualisht me kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Putin ka qenë një anëtar inteligjent i KGB-së, por duket se ka ndryshuar shumë gjatë kohëve të fundit. Putin duket sikur ka humbur kontaktin me realitetin. Ai sigurisht nuk e vlerësoi siç duhej situatën në Ukrainë. Ai priste që ukrainasit rusishtfolës t’i mirëprisnin ushtarët rusë krahëhapur, por ata u bënë bashkë me popullin ukrainas.

Ukrainasit kanë treguar një rezistencë të guximshme. Në korrik 2021, Putin publikoi një artikull të gjatë duke argumentuar se rusët dhe ukrainasit janë një popull dhe se ukrainasit janë mashtruar nga agjitatorët neonazistë.

Në pjesën e parë të artikullit të tij nuk ka ndonjë arsyetim historik, duke pasur parasysh se Kievi ishte selia origjinale e Kishës Ortodokse Ruse. Por në pjesën e dytë ishte Putin ai që u mashtrua. Dhe ai duhej ta mendonte diçka të tillë pasi shumë ukrainas kanë luftuar me trimëri gjatë protestave të Euromaidanit në 2014.

Ngjarjet e vitit 2014 shkaktuan shumë kaos dhe zemërim kudo. Por ushtria ruse u tregua e dobët kur urdhëroi sulmin ndaj vëllezërve të saj ukrainas. Megjithatë, në vend që të fajësojë veten, Putin duket se është çmendur. Ai ka vendosur të ndëshkojë Ukrainën për qëndrimin kundër tij dhe duket se po vepron pa asnjë dallim.

Ai po rrezikon të gjithë ushtrinë ruse në betejë dhe po injoron të gjitha rregullat e luftës, jo më pak duke bombarduar pa dallim popullsinë civile.

Shumë spitale janë goditur dhe rrjeti elektrik që furnizon termocentralin bërthamor të Çernobilit (aktualisht i pushtuar nga trupat ruse) është dëmtuar. Në Mariupolin e rrethuar, 400,000 njerëz kanë qenë pa ujë dhe ushqim për gati një javë.

Rusia mund ta humbasë luftën. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po dërgojnë armë në Ukrainë dhe po bëhen përpjekje për të blerë avionë luftarakë MIG të prodhimit rus.

Janë pikërisht këto që mund të ndryshojnë kursin e luftës.  Pavarësisht nga rezultati, Putini tashmë ka bërë një mrekulli kur bëhet fjalë për forcimin e vendosmërisë dhe unitetit të BE-së.

Ndërkohë, Xi duket se e ka kuptuar se Putini është shndërruar në një mashtrues. Më 8 mars, një ditë pasi ministri i Jashtëm kinez  Wang Yi kishte këmbëngulur se miqësia midis Kinës dhe Rusisë mbetej “e qëndrueshme”, Xi telefonoi presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz për të thënë se ai mbështeste përpjekjet e tyre paqeruajtëse. Ai kërkonte të shmangte  një krizë humanitare.

Ende nuk dihet nëse Putin do të pranojë dëshirat e Xi.  E vetmja gjë që na mbetet është të shpresojmë që Putin dhe Xi të largohen nga pushteti përpara se të shkatërrojnë qyteterimin tonë.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!