Emisioni VETTING në “ABC” nga gazetarët Luli Progni dhe Xhevahir Zhabina këtë të enjte u ndal tek “dosja 184”. Për këtë çështje foli Gentian Trenova, prokurori i cili nisi hetimin, por që sot jashtë sistemit të drejtësisë.
Ish-prokurori Gentian Trenova është skualifikuar nga “Vettingu” me arsyetime jo fort bindëse në raport me të tjerë prokurorë që e kaluan këtë proces.
Në përfundim të çështjes që ai nisi, sot thotë procedura e dosjes u realizua në kundërshtim me ligjin, ndërsa theksoi se “Dosja 184” duhet të hetohej nga Prokuroria e Posaçme.
“Tek lista e dosjes e gjithë procedura mendoj se është në kundërshtim me ligjin, në Kodin e Procedurës penale, sa i përket kompetencës për hetimin e kësaj dosje. Jam i mendimit që dosja duhet të hetohej nga Prokuroria e Posaçme. Kjo dosja ka pasur shumë lirshmëri publike ne vend dhe jashtë vendit dhe për këtë arsye dosja duhet të ishte hetuar me shumë seriozitet, nga ana e Prokurorisë së Posaçme. Kjo nuk u realizuar sepse mendoj se duket qartë edhe ndikimi i politikës në këtë institucion”, tha ish-prokurori.
Asgjë më shumë se shitblerja e votës, apo cënimi i lirisë së votës, nuk e kërcënon demokracinë e prosperitetin e një vendi.
Prej lirisë së votës burojnë të gjitha liritë e tjera. Shitblerja e votës është krimi më i rëndë që i bëhet sistemit demokratik dhe rruga e këtij krimi, padyshim të çon në zyrat më të larta të shtetit shqiptar, atje ku prokurorët tanë në SPAK e të tjerë, e kanë ende shumë të vështirë të mbërrijnë. /abcnews.al/