Gentian Mezani dorëhiqet si trajner i Luftëtarit

schedule16:10 - 28 Janar, 2019

schedule 16:10 - 28 Janar, 2019

Trajneri i Luftëtarit, Gentian Mezani, jep dorëheqjen dy ditë pas humbjes së rëndë me Kastriotin në Superligë. Një vendim i papritur që duket se u shkaktua nga veprimet e klubit gjirokastrit.

Duket sikur kanë kaluar vite nga kjo festë. Luftëtari i vitit të kaluar ishte mrekullia e Superligës, me kualifikimin për herë të parë në kupat e Europës, por tani, vetëm 7 muaj më pas, skuadra duket në prag të shpërbërjes.

Humbja e turpshme në shtëpi me Kastriotin, në Superligë, u pasua nga dorëheqja e trajnerit Gentian Mezani.

Vlonjati, që bëri emër të mirë me Flamurtarin, Laçin, por edhe javët e fundit me Luftëtarin, lajmëroi largimin, dhe besohet se pati dy arsye.

Shkaku i parë mendohet se u shkaktua nga bisedimet që klubi, mësohet se, po bën me ish-trajnerin Milinkoviç. Nuk ka konfirmim për këtë, por ngjarjet lidhen logjikshëm me njëra-tjetrën. Së dyti, është edhe dobësia e skuadrës, veçse kjo nuk është arsyeja kryesore e dorëheqje.

Në deklaratën pas ndeshjes, Mezani premtoi se do të vazhdonte.

“Është humbje e dyfishtë, po kjo nuk do të thotë që Mezani do dorëhiqet nga kjo luftë. Ne do bëjmë më të mirën”.

Gjithsesi, vlonjati në po këtë konferencë shtypi, e ngriti alarmin.

“Skuadra është dobësuar shumë në ketë periudhë të janarit, ndërkohë që gjithë skuadrat janë forcuar. Kjo tregoi gjithçka që unë kisha parashikuar”.

Shkatërrimi i Luftëtarit ndodhi shpejt, dhe gjithçka besohet se nisi me ikjen e trajnerit Hasan Lika, atij që e kualifikoi për në Europë.

Pas tij erdhi slloveni Kostiç, teknik që u largua me shumë dyshime pas paraqitjes së turpshme në Ligën e Europës, me rezultatet e panatyrshme ndaj Venstpilsit të Letonisë.

Klubi humbi në verë dy lojtarët kryesorë, Kristal Abazajn e Devi Bregun. Në dhjetor ikën edhe Shkurtaj me Rrocën, dy më të mirët e këtij sezoni.

Kupa u mbush me krizën financiare, veçse edhe tani në janar, Mezani shpresonte ta ngrinte ekipin, siç ia uronin edhe miqtë në rrjetet sociale.

Nuk qe e thënë.

Vlonjati u largua, ndërsa nuk dihet nëse serbi Milinkoviç do të kthehet, dhe, edhe po të kthehet, vështirë t’ia dalë me këtë ekip.