Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim me anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes së kandidatëve në PD Bujar Nishani, Genc Ruli, Besnik Mustafaj, Enriketa Papa dhe Mark Marku.
Në një deklaratë Ruli deklaroi se në PD tashmë ka një politikë të hapjes ndaj zërave që kanë qenë kritikë me të përgjatë viteve të fundit.
Ai e renditi veten mes kritikëve kryesorë të lidershipit, i cili tashmë sipas tij po përmirësohet.
Ruli u shpreh se përzgjedhja e kandidatëve, proces ku ai bën pjesë do sjellë një nga fitoret më të mëdha në PD.
“Ky proces është një politikë e hapjes, unë jam njeri që kam pasur qëndrime kritike ndaj lidershipit për shkak se i gjykoja ndryshe si duheshin zhvilluar proceset në atë kohë. Kjo është një shenjë e pjekurisë dhe mendje-hapjes së partisë sot.
Unë kam qenë disa herë kritik ndaj lidershipit të PD, vlerësimi ynë kur ka qenë i ndryshëm e kam thënë dhe i kam qëndruar mendimit tim. Unë ndihem i vlerësuar për përzgjedhjen e një ekipi që do të sjellë një nga fitoret më të mëdha”, u shpreh Ruli.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe i rikthyeri tjetër në PD, Besnik Mustafaj duke e cilësuar përgjegjësinë njënga detyrat më të vështira që ka pasur ndonjëherë.
“Nuk jam zëdhënësi i Komisionit, por mund të them përshtypjet e mia personale të cilat janë shumë optimiste. Është një proces i ri, i panjohur në historinë politike të Shqipërisë së këtyre 30 viteve.
Unë konstatova se ka një prurje jashtëzakonisht të pasur, çka tregon se propozimet e demokratëve në të gjithë Shqipërinë kanë qenë serioze. Ne jemi seriozisht të angazhuar për të zgjedhur vlerat më të mira të këtij kontigjenti që përbëjnë burime njerëzore të mëdha, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë.
Gjërat janë në vazhdim, unë shpresoj që, në fund të këtij procesi, të dal i paturpëruar, sepse është detyra më e vështirë, më delikate dhe më komplekse që kam marrë ndonjëherë përsipër”, tha Mustafaj.
Takimi që ka zgjatur për rreth 90 minuta./abcnews.al