Sondazh

Zvërneci, protestë për:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Gen Z mes premtimeve dhe zhgënjimeve nga AI

schedule17:24 - 5 Maj, 2026

schedule 17:24 - 5 Maj, 2026

Nga Nadia Elbasani

Gen Z është brezi më i përgatitur për epokën e inteligjencës artificiale dhe, si për ironi, ndër të parët që po përballet me pasojat e saj. Ata e kuptojnë teknologjinë, e përdorin dhe e kthejnë në avantazh. Por në praktikë po shfaqet një paradoks, pasi është pikërisht ky brez që po përjeton një zhgënjim të hershëm nga AI dhe që ka aftësinë ta kuptojë këtë më shpejt sesa ta përjetojnë në realitet.

Tregu i punës nuk po i pret, ndërkohë që ata marrin një shkollim tradicional. Në Europë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, përdorimi i AI gjeneruese është ndër më të lartët, duke treguar jo vetëm akses, por edhe gatishmëri për ta integruar në përditshmëri.



Megjithatë, realiteti është më kompleks. Tregu i punës, veçanërisht në SHBA dhe Europë, po pëson një transformim të shpejtë struktural. Inteligjenca artificiale nuk po automatizon vetëm punët rutinë, por po prek drejtpërdrejt edhe pozicionet “entry-level”, që historikisht kanë qenë porta hyrëse për të rinjtë.  Në mënyrë të pavetëdijshme e kemi kuptuar se AI po ndikon në tregun e punës duke rritur efikasitetin dhe ulur nevojën për punonjës, por nuk kishim menduar se goditja do të binte pikërisht edhe mbi pozicionet entry-level, aty ku nis çdo karrierë.

Për një student apo të sapodiplomuar, kjo krijon një situatë të paparashikuar. Ata gjenden në mes të studimeve, duke u përgatitur për një treg pune që, ndërkohë, ka ndryshuar rregullat e lojës. Aftësitë që po mësohen sot mund të mos kenë të njëjtën vlerë nesër, ndërsa mungon hapësira për të fituar eksperiencën fillestare që është thelbësore për çdo karrierë.

Si rezultat, shumë të rinj përjetojnë një ndjenjë zhgënjimi që nuk lidhet me mungesën e përpjekjes apo aftësisë, por me një ndryshim të papritur të kushteve të lojës. Ky zhgënjim nuk buron nga frika ndaj teknologjisë. Përkundrazi, Gen Z është ndoshta përdoruesi më aktiv dhe më kreativ i saj. Problemi qëndron se ritmi me të cilin inteligjenca artificiale po transformon tregun e punës është më i shpejtë sesa kapaciteti i këtij brezi për të hyrë në të.

Është e pamohueshme që AI ka rritur ndjeshëm efiçencën, por problemi qëndron tek mënyra si menaxhohet tranzicioni, i cili kërkon koordinim mes arsimit, që duhet të përditësojë kurrikulat, dhe kompanive, që duhet të transformojnë rolet hyrëse pa i zhdukur ato.

Pa këtë koordinim, teknologjia nuk shfrytëzohet plotësisht dhe brezi më i përgatitur mbetet jashtë përfitimeve, duke krijuar një rrezik të ri që nuk është vetëm ekonomik, por edhe social.

Zhgjënjimi që po shfaqet sot nuk është refuzimi i teknologjisë, por reagim ndaj një ndryshimi të pakoordinuar. Nëse ky sinjal neglizhohet, rrezikojmë që teknologjia të përballet me refuzim, kur në fakt duhet e kundërta, sepse pa inovacionin dhe idetë e gjeneratave të reja nuk mund të ketë përparim real.

Zgjidhja nuk është të ngadalësojmë teknologjinë apo, më keq akoma, ta refuzojmë, por ta sinkronizojmë me njerëzit duke ruajtur edhe rolet entry-level si pjesë thelbësore e integrimit të Gen Z në tregun e punës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!