Gega: Kjo Shqipëri më bën optimist, 5 mbrojtës ishin shumë kundër Kazakistanit

schedule22:57 - 12 Tetor, 2020

schedule 22:57 - 12 Tetor, 2020

Trajneri i Kukësit, Skënder Gega, foli në një lidhje me Skype me emisionin Pressing, në ABC Neës. NË fjalën e tij, strategu i klubit verilindor u shpreh: “Të gjitha ato që u diskutuan, normalisht janë të drejta.

Të bësh një analizë 90 minuta, duhet durim dhe kohë, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë. Ekipi pati gjëra pozitive, e filloj me thirrjen e lojtarëve të rinj. Si rrallë herë, zgjodhëm lojtarë të rinj dhe i futëm në formacion.

Edhe e dominuam takimin me ato lojtarë të rinj, pavarësisht se nuk ishte Kazakistani në nivelin tonë. Presioni është i pashmangshëm, jam dakord me Nevilin. Çdo zgjedhje e një trajneri, lë për të diskutuar. Çdo ndeshje ka momente të forta, por dhe pjesë negative.

Kështu që, nga një anë, mendoj se ka qenë momenti i duhur dhe është luks i madh të kesh ato lojtarë në formacion. Personalisht, jam shumë optimist për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk është se ndeshja nuk kishte mangësi, por mosha e ekipit të Shqipërisë më bën optimist për të ardhmen.

Ne e dominuam takimin kundër një ekipi inekzistent, nuk na rrezikoi asnjëherë. Ne u mbrojtëm mirë, por kishim 5 mbrojtës. 5 mbrojtës kundër Kazakistanit, më duken shumë. Veseli ishte si mbrojtës i katërt, vetëm Trashi u konsumua në sulm. Ne mbanim gjithmonë katër mbrojtës mbrapa, nuk mendoj se ishin të nevojshëm. Duhet të guxonim më shumë, me djem të rinj edhe me sulmues më tepër. I patëm rastet, mund edhe të adaptoheshim dhe pas ca kohësh, mund të luajmë me një ekip më të fortë se ne.

Nuk është gabim të rriten me atë fizionomi loje, por duhet të guxojmë më tepër, në fund të fundit futbolli është lojë sulmuese. Jam shumë i sigurt se Broja dhe Manaj janë lojtarë të talentuar, i njoh dhe nga afër, por aty ku janë konsumohen shumë”, u shpreh Gega./abcnews.al