Fatmir Xhafaj e cilësoi si të padenjë për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllarin, e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.
Ndërkohë, nuk ka vonuar dhe ka ardhur një përgjigje nga Partia Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Gazment Bardhi shprehet se reagimi i Xhafajt është i papranueshëm dhe bie ndesh me qëllimin e Reformës në Drejtësi.
Teksa i referohet si vëllai i Geronit, numri dy i PD, deklaron mes të tjerash se Xhafaj kërkon që të ketë në Gjykatën Kushtetuese një person që betohet tek zyra e tij për shërbime partiake
Reagimi i plotë:
Sulmi i vëllait të Geron Xhafës ndaj Gjykatës Kushtetutese përse zbatoi Kushtetutën dhe jo urdhrat e Partisë është i papranueshëm dhe bie ndesh me qëllimin e Reformës në Drejtësi, që politika të rrijë larg vendimmarrjeve të gjyqësorit.
E kuptojmë që vëllai i Geronit kërkon që të ketë në Gjykatën Kushtetuese një person që betohet tek zyra e tij për shërbime partiake, por Kushtetuta është e qartë në tre pika:
1. Emërimi i 3 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga Presidenti i Republikës dhe jo nga Dvorani i Partisë në KED (neni 125 i Kushtetutës).
2. Gjyqtari i emëruar që të fillojë detyrën duhen të betohet përpara Presidentit të Republikës dhe jo në zyrën e Fatmir Xhafës apo selinë e Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).
3. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese duhet të betohet që do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, dhe jo pushtetit popullor dhe Statutit të Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka shpallur asnjë fitues, sepse nuk e ka këtë kompetencë (neni 149/d i Kushtetutës). Dvorani i Partisë ka bërë veprime administrative të paligjshme në zbatim të urdhrave të Partisë, por ato nuk janë vendime të organit kolegjial KED, por vendime personale të ushtarit të vëllait të Geronit në KED.
Ata që spo lenë organ të ri të drejtësisë pa futur duart, me monovra kriminale, politike, qëllimkëqija dhe antikushtetuese, duhet të kuptojnë se zbatimi korrekt dhe sipas Kushtetutës i Reformës në Drejtësi është parakusht për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Drejtësia e re nuk bëhet me shërbëtor partiak, por me individë që respektojnë Kushtetutën dhe zbatojnë atë në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Arta Vorpsi me sjelljen prej shërbëtorje politike humbi çdo mundësi për të qenë, ligjërisht dhe moralisht, gjyqtare e Gjykatës Kushtetutese. Ajo u provua se ishte e renditur e parë, jo për aftësi e profesionalizëm, por për miqësi me Fatmir Xhafën dhe ushtarët e tij në KED Ardian Dvorani e Arta Marku.
Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet vetëm sipas Kushtetutës! Vetëm kështu drejtësia e re përmbush standardet e vendeve partnere që na ndihmuan në realizimin e saj./abcnews.al