Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, ka hedhur vazhdimisht akuza kundër Qeverisë, Ministrit të Brendshëm Sander Lleshaj, Policisë por edhe Prokurorisë. Bardhi tha se, policia me urdhër politik ka sulmuar qytetarët duke i penguar në ushtrimin e së drejtës së tyre për të zhvilluar protestë.
Bardhi më tej ka theksuar se organi i prokurorisë ka patur detyrimin ligjor, që bazuar në informacionet e transmetuara në media, të niste kryesisht hetimet ndaj drejtuesve të policisë, por sipas Bardhit, ky fakt nga ana e prokurorise nuk ka ndodhur.
“I bëj thirrje prokurorisë që të mos bëhet shtojcë e Policisë së Shtetit, të ngrihet në lartësinë e detyrës, të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve sepse nuk është organ në varësinë e Ministrit të Brendshëm. Organi i Prokurorisë do të duhet të ushtrojë përgjegjësitë e veta, pasi sot ka 40 qytetarë në burg pa asnjë shkak“, ka theksuar Bardhi.
Padia e PD është dorëzuar pas protestës së 16 marsit dhe akuzon Ministrin e Brendshëm dhe policinë për përdorimin kriminal të gazit lotsjellës në protestë, kundër protestuesve të opozitës./abcnews.al