Gazetarja shqiptare vlerësohet me çmimin e rëndësishëm në SHBA

schedule09:00 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 09:00 - 7 Dhjetor, 2021

Gazetarja Arbana Xharra është vlerësuar me çmimin e rëndësishëm si gruaja heroinë nga revista “My New York” për kontributin e saj në gazetarinë investigative. Gazetarja ka spikatur me rolin e saj në këtë fushë jo vetëm në Shqipëri dhe Kosovë por tanimë dhe në SHBA. Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ajo tha se ndihet e lumtur për vlerësimin e marrë.

“Kryeredaktorja më kontaktoi, ceremonia mbahet me 4 Janar. Është hera e parë që jepet ky çmim. Ishte një kënaqësi. Nuk është hera e parë pasi në 2015 u nderova dhe nga Shtëpia e Bardhë dhe gjithmonë kam pasur një derë hapur në SHBA dhe më është vlerësuar puna ime.”, tregoi ajo.

Duke u ndalur te ngjarja e disa viteve më parë ku u dhunua brutalisht nga disa persona, gazetarja tha se ndodhi pas shkrimeve të saj investigative. “Në 2012, nisa për herë të parë të merren me rritjen e radikalizmit shqiptar, bëra për rreth 8 muaj një hulumtim në Kosovë, Shqipëri, Londër, zbulova burimet financiare për të bërë ‘shpërlarjen’ e trurit të fëmijëve dhe pamë se çfarë ndodhi në Ballkan, me shqiptarët që iu bashkëngjitën shteti islamik.

Kur nisa hulumtimin parë kisha takime me imamë, dhe pas publikimit ishte ndër hulumtimet e para që ishte bërë dhe u publikuan në gazetat e mëdha. Pati interesim të mediave kryesore, dhe u nisa të merresha aktivisht me rritjen e radikalizmit dhe nuk ishte një punë e imja si gazetare por aktive dhe në TV. Kjo nisi t’i pengojë ata që kanë një axhendë dhe të bëjnë propaganda të mëdha ndaj meje.

Në vazhdimësi kam nënvlerësuar se diçka mund të më ndodhë, kam paraqitur në polici kërcënimet derisa ndodhi, erdhën dhe vizatuan kryqin e kuq me një ngjyrë si gjak dhe pas dy tri javësh ndodhi dhe sulmi.”, tha ajo. Arbana tregoi se ka qenë një zë kritik i axhendës turke në Ballkan ku edhe tregoi se kishte marrë paralajmërime për të mos udhëtuar drejt Turqisë pasi mund të arrestohej.

Dua të përmend se gjatë punës në Kosovë kam pasur një mbështetje të imamëve, ata kanë qenë të parët të shqetësuar se çfarë po ndodh sepse vetë përfaqësuesit e bashkësisë islame që ishin më liberal patën probleme me këto grupe. Tani vazhdojnë sepse jam në SHBA, tre vite duke punuar me shkrime dhe hulumtime për Lindjen e mesme, Ballkanin dhe Turqinë, që të nënvlerësohet puna ime bëhen propaganda sidomos gjatë festave fetare.

Kam shkruar kundër ndërtimit të xhamive ilegale, zhvillova një hulumtim se financat nuk vinin nëpërmjet sistemit bankar por nga organizata turke. Pati dhe reagim nga ambasadorja turke kërkoi dhe arrestimin tim, dërgoi një letër në qeveri, kisha telashe me emra të mëdhenj dhe të mos asnjë fluturim përmes Turqisë se mund të arrestohesha.”, tha mes të tjerash ajo.

/abcnews.al