Gazetari Sokol Balla thotë se Holta Zaçaj duhet të dorëhiqej. Në “Tirana Live”, duke komentuar tërheqjen e kryetares së Gjykatës Kushtetuese, gazetari u shpreh se ajo nuk duhet të jetë më anëtare e kësaj gjykate.
“Vazhdon ngul këmbë për një shkresë që e ka firmosur vetë. Ajo ka firmosur dy herë një dokument dhe sot nuk duhej të tërhiqej por të dorëhiqej. Nuk duhet të jetë më kryetare e Kushtetueses. Më mirë do të preferoja një Gjykatë Kushtetuese në krizë me anëtarë sesa një Gjykatë Kushtetuese me integritet të dobët profesional si Zaçaj dhe ato dy të tjerët.“, tha gazetari.
Duke u ndalur te fakti që ngërçi krijuar vjen në një vit elektoral, gazetari Balla shtoi:
“Nëse i qëndrojmë variantit të saj të mbrëmshëm deri më 10 mars, Gjykata e Lartë duhet të zgjedhë zëvendësuesin e saj, edhe Gjykata e Lartë është edhe ajo vetë për shkak të qëndrimit të Zaçaj është në një çerek faul, pasi duhet të hapë garën në momentin që Gjykata Kushtetuese shpall vakancën. Gjykata e Lartë ka dalë sot dhe ka thënë se duhet t’i qëndrojë detyrimeve të mia, duhet të hap garën për të përzgjedhur zëvendësuesin. Çfarë mund të ndodhë sërish? Zaçaj vazhdon të jetë e pasinqertë dhe të luaj, dhe vazhdon të njëjtën skemë. Nëse i qëndrojmë kësaj skeme, deri në 10 mars do të kemi dy Holta, këtë që duhet të iki dhe tjetrën që duhet të vijë. Mendoni më 10 mars, në kulmin e fushatës elektorale, shpërthen një konflikt në parlament, i cili kontrollohet nga një shumicë e caktuar politike dhe Gjykatës Kushtetuese. Do të kemi një anëtare të Gjykatës Kushtetuese që do të vijë dhe një anëtare që nuk do të ikë nga zyra e saj. Ky spektakël do të jetë një konflikt midis një maxhorance politike që kontollon parlamentin dhe një personazhi që s’e di në çfarë interesi e bën këtë konflikt.”