Gazetarët, të shqetësuar për lirinë e shtypit në Britani

schedule08:36 - 30 Maj, 2020

schedule 08:36 - 30 Maj, 2020

Liria e shtypit po kërcënohet në Britani sipas gazetarëve duke paralajmëruar gjithashtu se qeveria e Kryeministrit Boris Johnson po krijon një klimë armiqësore dhe po nxit mosbesim ndaj gazetarëve në popullatë.

Tensionet mes qeverisë dhe medias janë tensionuar pas artikujve të fundit se Dominic Cummings, këshilltari kryesor i kryeministrit britanik kishte thyer rregullat e izolimitndërkohë që ishte i infektuar me koronavirus.

Qeveria tha se nuk do t’u përgjigjej më pyetjeve nga dy organet e shtypit: Mirror dhe Guardian, të cilat i etiketoi si “gazeta që bëjnë fushata politike”.

Terma të tilla janë shqetësuese, thotë Rebecca Vincent pjesë e organizatës pro lirisë së shtypit “Gazetarët Pa Kufi”.

“Aktualisht në Britani po shohim një intensifikim të qëndrimeve armiqësore nga qeveria kundrejt shtypit. Megjithëse nuk po përdor termin “lajme të rreme”, po shohim një retorikë alarmuese, akuza se gazeta të besueshme po kryejnë funksione politike  dhe se nuk duhet t’u kushtohet vëmendje raportimeve të tyre në interesin publik”.

“Shumë nga ato që u shkruan dhe u thanë të shtunën e të dielën ishin të rreme, për sa i përket sjelljes së këshilltarit tim,” tha zoti Johnson.

As kryeministi, as këshilltari i tij nuk kanë treguar prova për të kundërshtuar argumentet e ngritura nga gazetat.

Shoqata Britanike e Redaktorëve dhe Shoqata e Gazetarëve të Huaj kanë paraqitur ankesa se disa gazetarë nuk u njoftuan për konferenca për shtyp të zhvilluara online gjatë pandemisë.

“Mikrofoni i gazetarit mbyllet thuajse menjëherë pasi bëhet pyetja e parë, ndonjëherë mbyllet vetëm pasi është bërë një pjesë e pyetjes së parë. Nuk lejohen pyetje të tjera,” tha Rebecca Vincent.

Zonja Vincent beson se qeveria britanike po kopjon metodat e administratës Trump:

“Ne nuk po  dëgjojmë termat “lajme të rreme, media e korruptuar”, megjithatë administrata britanike ka gjetur mënyrën e saj të bëjë të njëjtën gjë, ajo po nxit një qëndrim armiqësor të publikut ndaj medias, si dhe po dëmton besimin e publikut tek shtypi,” thotë zonja Vincent.

Zyra e Kryeministrit Boris Johnson nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente. Qeveria ka hedhur poshtë akuzat se po pengon shtypin e lirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!