Gatuzo rrezikon stolin tek Milani, ultimatum për trajnerin

schedule12:07 - 25 Dhjetor, 2018

schedule 12:07 - 25 Dhjetor, 2018

Xhenaro Gatuzo rrezikon postin si trajner i Milanit. Klubi i jep ultimatum për të fituar dy ndeshjet e fundit të vitit. Nuk është faji i tij që këto kohë janë larg.

Xhenaro Gatuzo, në versionin futbollist, ishte mësuar të luante në krah të kampionëve, dhe të fitonte tituj, veçse Milani i sotëm nuk ngjan aspak me atë të një apo dy dekadave më parë.

Ish-mesfushori, tashmë në rolin e trajnerit, po vuan ndoshta më shumë se gjithkush, por edhe po rrezikon më shumë se kushdo tjetër. Disfata e fundit në Serinë A, shkaktuar brenda në “San Siro” nga Fiorentina, i lëkundi ndjeshëm pozitat e legjendës kuqezi.

Klubi besohet se i ka vënë afat që të marrë dy fitore në dy ndeshjet e radhës, ndryshe mund të largohet. Me zonën Champions në rrezik në kampionat, dhe me eleminimin nga Europa, Gatuzo po kalon momentet më të zeza në detyrë.

Në të vërtetë, tifozët mendojnë se fajin kryesor e kanë futbollistët, vetëm 20 për qind akuzojnë teknikun, dhe besohet se kanë të drejtë. Edhe një trajner i madh, do ta kishte të vështirë me një skuadër jo në lartësinë e detyrës.

Gjithsesi, shifrat janë kokëforta, dhe Milani sot shënon në Serinë A, më pak se 10 ekipe të tjerë, shumë prej të cilëve poshtë tij në renditje.

“Nuk e kam problem që jam në diskutim, – shprehet ai, – Milani është shtëpia ime, dhe unë bëj maksimumin e mundshëm. Nëse nuk ia dal, do të vijë dikush tjetër. Derisa të jem në detyrë, nuk do të dorëzohem. Pavarësisht krizës, kam besim të plotë tek lojtarët e mi”.

Një nga lojtarët është edhe Gonzalo Higuain, që po kalon një krizë të vërtetë goli.

Edhe ai, ashtu si Gatuzo, ka afat dy ndeshje, ato ndaj Frozinones dhe Spalit, ndryshe mund të largohet, ndoshta I këmbyer me Alvaro Moratën e Çelsit.

Është kohë festash, Krishtlindjet dhe Viti I Ri, por tek Milani nuk po munden të festojnë siç duhet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!