Projektligji i ri për rezervën e hidrokarbureve në Shqipëri ka hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet të miratohet së shpejti, duke sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e menaxhimit të rezervave të karburanteve në vend. Gjatë një takimi me furnizuesit e naftës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se drafti është tashmë gati dhe i harmonizuar me direktivat e Bashkimit Europian.
“Tashmë secilës nga kompanitë hidrokarbure që ofrojnë në Shqipëri i është çuar njoftimi për detyrimin e rezervës hidrokarbure që duhet të mbajnë në vitin 2026, që është e përllogaritur në bazë të xhiros ditore të vitit të kaluar.
Po ashtu grupet në terren tashmë u janë njoftuar edhe subjekteve për të bërë të gjitha verifikimet e nevojshme brenda datës 31 mars. Patjetër që subjektet e dinë që kanë detyrimin që të mbajë 31 ditë rezervën hidrokarbure në Shqipëri dhe pjesën tjetër të 60 ditëve të kontraktuar në menakizma të ndryshëm. Bllokimi i ngushticës së Hormuzit nuk ka impaktuar furnizimin me hidrokarbure në vendin tonë, pasi kanalet e furnizimit janë me mekanizma të tjerë apo në rrugë të tjera detare.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka dy vjet që po punon për ligjin e ri të rezervës së hidrokarbureve, i cili është konsultuar me publikun para disa muajsh dhe tani është në fazën përmbyllëse për miratim. Projektligjin që përmbush plotësisht direktivat e Bashkimit Europian dhe të vendit, tashmë rezervat e hidrokarbureve nuk do të mbahen më nga kompanitë, por nga agjencia shtetërore. Patjetër që struktura e çmimit të karburanteve në pikën fundore, zë pjesën më të madhe”, tha Karakaçi./abcnews.al


