TIRANË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër Poligonin e Testimit Praktik për leje drejtimi dhe Qendra Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale.
Ajo u shpreh se kjo është një hapësirë e re me kushte sigurie dhe transparencë të plotë. Gjatë inspektimit, Balluku theksoi se DPSHTRR ka krijuar një standard të ri në këtë fushën, ndaj kërkoi që kjo filozofi zhvillimi të vijojë pa ndërprerje. 124 testime realizohen çdo ditë në këtë poligon, ndërkohë që janë mbi 130 mijë testime në harkun kohor të një viti.
“DPSHTRR-ja padyshim ka krijuar një standard të ri, një standard të cilin unë e marr shpeshherë edhe për shembull për të gjithë ndërmarrjet e tjera sesi duhet të funksionojë inovacioni, sesi duhet vetë ndërmarrjet të arrijnë të sjellin të ardhura, të ardhura të cilat do të përkthehen më pas në investime, siç kemi bërë në rastin e DPSHTRR-së. Gjej rastin këtu që të falënderoj tashmë kolegun tim, ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, që ka qenë padyshim iniciatori dhe motivuesi kryesor i të gjithë ndryshimit që ka ardhur në DPSHTRR. Unë do të përmendja këtë radhë, pasi gjithmonë flasim për risitë që kanë ardhur, por diçka shumë e rëndësishme për qytetarët që janë drejtues automjetesh është vendimi që u mor gjatë vitit të kaluar përsa i përket patentës 15 vjeçare”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nënvizoi faktin e rëndësisë së vijimit të investimeve, duke pasur tashmë si prioritet edhe teknologjinë, aplikimin e saj për të çuar në një nivel akoma edhe më të lartë cilësinë e shërbimit.
“Duhet të vazhdojmë të bëjmë investimet që kemi nisur. Duhet të vazhdojmë të kemi prioritet inovacionin, pasi dhe inovacioni është prioritet i Qeverisë Shqiptare, sidomos për vitin 2024 tashmë me një ministri që ka një sektor të dedikuar inovacionit dhe me një agjenci plotësisht të re të drejtuar nga një zonjë, e cila është kthyer nga Amerika. Kështu një skuadër e bërë së bashku me një synim të vetëm për t’i shërbyer qytetarëve tanë dhe për të sjellë sa më shumë shërbime të cilat ofrojnë për njerëzit tanë më të mirën si në kushte, si në teknologji dhe mbi të gjitha me çmime sa më të ulëta siç DPSHTRR ka bërë që ditën e parë”, theksoi Balluku.
Poligoni i Testimit Praktik për leje drejtimi dhe Qendra Edukative Digjitale e Simulimeve Virtuale është e pozicionuar në zonën e Fushë Prezës në Tiranë. Rreth 111 autoshkolla, të regjistruara në DRSHTRR Tiranë, kandidatët e të cilave testohen pranë këtij poligoni.