Puna në Tiranë nuk do të ndalet ka apo nuk ka zgjedhje. Në takimin me dyer të mbyllura që zgjati 180 minuta, kryesocialisti Edi Rama i ka kërkuar deputetëve dhe shtabit elektoral të mos e çojnë dëm punën e bëre deri më tani por të vijojnë angazhimin në mënyrë që të jenë gati kurdo që kryeqyteti të shkojë në zgjedhje.
Rama i ka thënë të tijve që të mos i ndërpresin takimet me qytetarët por të jenë në terren për të dëgjuar problematikat dhe shqetësimet e tyre.
Po ashtu burimet thonë se një tjetër porosi e kryesocialistit ka qenë që strukturave dhe qytetarëve tu prezantohet buxheti i 2026, duke iu shpjeguar se çfarë do të përfitojnë, duke nisur pensionet apo pagat ku preken drejtpërdrejtë.
Ky takim i Ramës me deputetët e Tiranës vjen dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese anuloi shkarkimin e Veliajt nga detyra.
Ndërsa e cilësoi këtë vendim në dëm të Tiranës, kryesocialisti la të kuptohet se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për zgjedhje të reja në kryeqytet. Dhe këtë duket se e dëshmon edhe ky takim i kësaj të mërkure në selinë rozë.


