Gati për shortin e Botërorit/ Kombëtarja do mësojë rivalët, nuk përjashtohet sfida me Kosovën

schedule13:14 - 29 Nëntor, 2024

schedule 13:14 - 29 Nëntor, 2024

Të gjithë turnetë ndërkombëtarë janë mbyllur. Futbolli i luajtur I kombëtareve ka nisur pushimet në pritje të ngjarjes më të rëndësishme të futbollit për vitin 2024. Bëhet fjalë për shortin e “Botërorit 2026”, që do të përcaktojë ndarjen e grupeve në kompeticionin më të rëndësishëm që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Numërimi mbrapsht ka nisur deri më 13 dhjetor, kur edhe Shqipëria do të mësojë rivalët e saj në misionin për të tentuar kualifikimin për herë të parë në histori në finalet e një Kupe Bote.

Ashtu si për skuadrën kuqezi, edhe për përfaqësueset e tjera europiane janë përcaktuar vazot ku do të shortohen.

Nuk kishte surpriza në përditësisimin e fundit të renditjes së FIFA, ku Shqipëria e mbylli në vendin e 65-të. Ashtu siç pritej, në short kombëtarja e drejtuar nga Sylvinho do të shortohet në vazon e tretë, çka le të hapur mundësinë e një përballje me Kosovën, që ka vendin e saj në vazon e katërt.

Po ashtu, nuk mund të evitohet përballja me një skuadër të madhe nga ato që renditen në vazon e parë, por edhe një tjetër të fortë por gjithsesi të kalueshme nga vazo e dytë, ku bëjnë pjesë njohje të vjetra të kuqezinjve si Ukraina, Çekia, Polonia, por edhe Serbia, Greqia apo Rumania.

FIFA ka përcaktuar edhe modalitetet e shortit, ku skuadrat e vazos së parë do të jenë edhe koka grupi. Pra skuadrat e vazos së parë do të shpërndahen si fillim në 12 grupe, ndërsa më pas me radhë do të vijojë shpërndarja e ekipieve të çdo vazo.

Kombëtarja e Shqipërisë shpreson të ketë fat në shortin e 13 dhjetorit. Me zgjerimin e Botërorit me 48 skuadra, Europa do të çojë në finalet e turneut 16 skuadra. 12 ekipet e para të grupeve kualifikohen direkt, ndërsa katër të tjerat do të dalin nga play-of.

Eliminatoret e Botërorit 2026 do të luhen nga marsi deri në nëntor të vitit të ardhshëm, ndërsa sfidat e play-of në mars të 2026.