Gati paketa ligjore e sportit, zbulohen përfitimet

schedule12:00 - 1 Tetor, 2019

schedule 12:00 - 1 Tetor, 2019

Shteti shqiptar do të ulë deri në 20 për qind të tatimit për sponsorizimet në sport. Parlamenti pritet të miratojë këto ditë paketën ligjore sipas akordit të qeverisë me klubet.

Do ta marrin atë që duan në këtë sallë. Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë këtë fillim tetori paketën ligjore për sportin, që cilësohet si ndryshim radikal dhe historik. Klubeve do t’u ulen nga tatimet deri në 20 për qind për investimet në sport.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për ABC News, se ky është premtimi i kryeministrit Rama, ndërsa Ministria e Financave dhe Tatimet nuk pranuan që shifra të rritej në 30 për qind, aq sa e ka Kosova. Aktualisht, ligji shqiptar njeh ulje deri në 3 për qind.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm do të jetë falja e kamatëvonesave dhe gjobave për mospagesën e tatimeve, duke u lënë vetëm detyrimin, dhe kjo mund të përgjysmojë borxhet e klubeve ndaj shtetit.

Është ende në diskutim teknik zerimi i tatimit mbi pagat, pasi nuk është vendosur ende periudha, nëse kjo do të jetë 3, 5 apo 7-vjeçare, ndërsa klubet kishin kërkuar të paktën 5 vjet.

Në tryezën për reformën në sport, në mars të këtij viti, klubet kërkuan edhe që terrenet sportive t’u kalojnë atyre pa shpërblim, që TVSH të jetë zero për investimet në sport, si dhe të ketë kontribut 50 për qind i shtetit në investimet në infrastrukturë.

Paketa ligjore pritet të kalojë në komisionin parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit, dhe pas tij në komisionin e financave dhe ekonomisë, si dhe në atë për çështjet ligjore. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!