Gati padia e Metës ndaj Dvoranit, ku dorëzohet?

schedule12:26 - 19 Nëntor, 2019

schedule 12:26 - 19 Nëntor, 2019

Presidenti Ilir Meta do të dorëzojë sot padinë në prokurori ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranit.

Burime nga Presidenca njoftojnë së në 14.30 do dorëzohet zyrtarisht padia për ndjekjen penale të Dvoranit, raporton abcnews.al.

Burime për abcnews.al bëjnë të ditur se padia do të dorëzohet në Prokurorinë e Përgjitshme.

Meta e kishte paralajmëruar kallëzimin për Dvoranin për ditën e djeshme por angazhimet e tjera politike duket se e detyruan Presidentin të dorëzojë sot padinë.

Të enjten e kaluar kreu i shtetit njoftoi përmes një konference për shtyp se do të padiste kreun e KED për shpërdorim detyre.

Meta tha se kreu i KED ka kryer një akt mafioz përmes shpërdorimit të detyrës duke shkelur ligjin me emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë në reagimin e tij për padinë, Dvorani u shpreh se sipas tij Presidenti po ushtron një të drejtë që gjithësesi Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.

Përplasja mes Metës dhe Dvoranit ka çuar në një ngërç me emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Presidenti nuk i ka kursyer as sulmet në media për Dvoranin, duke e cilësuar si “ushtar të partisë” dhe se duan të kapin Kushtetuesen./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!