Bill Gates ka deklaruar se miliarderët, përfshirë atë vetë, duhet të paguajnë më shumë taksa. Në një intervistë për CNN, themeluesi i “Microsoft” ka kritikuar reformat ekonomike e fiskale të presidentit Trump, të cilat sipas tij do të thellojnë pabarazinë.
I pari që mbështeti taksimin e miliarderëve në Shtetet e Bashkuara ishte gjeniu i Wall Street, Warren Buffett.
“Nuk mundet që unë të paguaj më pak taksa se sekretaria ime”, tha ai në vitin 2013, duke mbështetur taksën progresive të presidentit të atëhershëm, Barack Obama, që nuk kaloi kurrë në Kongres.
Këtë herë, pro këtij taksimi është shprehur edhe themeluesi i “Microsoft”, Bill Gates, njeriu i dytë më i pasur në botë. Në një intervistë për CNN, Gates nuk përjashton as veten e tij nga radhët e miliarderëve, që duhet të paguajnë më shumë taksa.
Gjithashtu, për filantropin e njohur, reforma e njohur si “revolucioni fiskal” dhe politika “Amerika e para”, aq të dashura nga presidenti Donald Trump, do të kenë pasoja katastrofike.
“Reforma e taksave që ka kaluar në Kongres thellon më tej pabarazinë, favorizon së tepërmi të pasurit dhe penalizon klasën e mesme dhe të varfërit”, ka deklaruar Gates.
Themeluesi i “Microsoft” ka nënvizuar se pikërisht pabarazia është një problem i lënë pas dore dhe që duhet të jetë në qendër të debatit të të gjitha demokracive në botë. Ndaj ai është shprehur skeptik ndaj nismës së Shtëpisë së Bardhë për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe uljen e papunësisë.
“Është një reformë që sjell regres, jo progres. Unë kam paguar më shumë taksa se gjithë të tjerët, mbi 10 miliardë dollarë, por qeveria duhet t’u kërkojë të gjithë personave që janë në pozitën time të paguajnë shumë më tepër”, ka thënë Gates./abcnews.al