Kur shumica e të rinjve zgjedhin një sport, Rikseld Saliçe ka vendosur t’i sfidojë kufijtë në disa drejtime njëherësh. Fizioterapist, instruktor noti, sportist i bodybuilding dhe tashmë kampion në powerlifting, ai po ndërton një histori suksesi që bazohet te disiplina, puna dhe këmbëngulja.
Së fundmi, Rikseldi mori pjesë për herë të parë në një kampionat lokal të powerlifting-ut, ku arriti të triumfojë në të tre disiplinat kryesore: squat, deadlift dhe bench press. Me 150 kilogramë në squat, 195 kilogramë në deadlift dhe 135 kilogramë në bench press, ai siguroi vendin e parë për grupmoshën e tij, duke u shpallur kampion në debutimin e tij.
Por ajo që e bën edhe më të veçantë këtë histori është fakti se ai garoi pa dijeninë e familjes. Të afërmit e tij kishin frikë se sporti i forcës mund t’i shkaktonte dëmtime, ndaj Rikseldi vendosi ta mbante pjesëmarrjen sekret deri në fund të garës. Vetëm pasi u shpall fitues, ai ndau lajmin me familjen, duke i kthyer shqetësimet e tyre në krenari.
Megjithatë, suksesi në powerlifting nuk është arritja e vetme e tij. Në vitin 2025 ai provoi veten edhe në bodybuilding, duke marrë pjesë për herë të parë në kategorinë Men Physique. Në atë garë ai arriti të renditej në vendin e tretë, një rezultat që e konsideron ndër momentet më të rëndësishme të karrierës së tij sportive.
Mes peshave të rënda, stërvitjeve intensive dhe garave, Rikseldi vazhdon të investojë edhe në profesionin e tij si fizioterapist. Ai beson se njohuritë që merr në këtë fushë e ndihmojnë të kuptojë më mirë trupin e njeriut dhe të përmirësojë performancën sportive.
Përveç kësaj, ai është edhe instruktor noti, duke dëshmuar se pasioni për sportin nuk kufizohet vetëm në palestrën e forcës. Për Rikseldit, sporti është mënyrë jetese dhe një mundësi për të sfiduar veten çdo ditë./abcnews.al


