Këshilli i Emërimeve në Drejtësi në mbledhjen e zhvilluar sot ka hedhur një tjetër hap drejt emërimet të anëtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese për ta bërë këtë institucion funksional, që është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare.
Sot u hodh shorti për caktimin e relatorëve për ndjekjen e procedurave të verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për vendet e lira në gjykatën Kushtetuese, konkretisht pas largimit të Besnik Imerajt dhe Fatos Lulos.
Vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe kandidatët
Vendi vakant pas largimit të Besnik Imerajt
Relatore anëtare e KED: Vitore Tusha
Këshilltar: Sajmir Nazifi
Kandidati: Orkida Totojani, Altin Binaj, Aldona Sylaj
Këshilltar: Besmir Rapaj
Kandidati: Eugen Papandile, Ardita Buna Alsula
Këshilltar: Aulona Bodo
Kandidati: Shaqir Hasanaj, Ilir Hasnedari, Klajdi Mone
Këshilltar: Laureta Nezaj
Kandidati: Përparim Kalo, Aleksandër Toma
Vendi vakant pas largimit të Fatos Lulos
Relatore anëtare e KED: Saida Dollani
Këshilltar: Laureta Nezaj
Kandidati: Ardita Buna Alsula
Këshilltar: Sajmir Nazifi
Kandidati: Altin Binaj
Këshilltar: Besmir Rapaj
Kandidati: Ilir Hasnedari
Por cfarë ndodh tani?
Me nisjen e kësaj faze, KED thekson se ka marrë të gjitha masat e duhura për të realizuar një proces të rregullt ligjor, efektiv dhe të shpejtë, nëpërmjet kryerjes së një hetimi dhe verifikimi të thellë e të kujdesshëm për secilin nga kandidatët konkurrues për vendet vakante. Megjithatë për shpejtësinë e kohës së verifikimit, KED e hedh “topin” te institucionet e tjera.
“Thellësia e procesit të verifikimit, besueshmëria, integriteti dhe shpejtësia e tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike si: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, Prokuroria e Përgjithshme, Autoriteti i Dosjeve, etj., si dhe subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED”. /db/Abcnews.al