Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën me katër kandidaturat për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK).
Analisti Roland Bejko i ftuar në “News Line” në ABC News shprehu mbështetje për katër kandidaturat, ku shtoi se përzgjedhja e tyre është bërë në sajë të një filtri rigoroz.
Ai shtoi se SPAK ka bërë një punë shumë të mirë përgjatë këtyre viteve dhe se edhe drejtuesi i ri i SPAK, pasues i Altin Dumanit do të ecë në të njëjtat gjurmë.
“Këta emra prisja që të kalonin pasi dihet që kanë kaluar në një filtër rigoroz përderisa kanë mbërritur deri këtu. Në bazë të rezultateve që kanë arritur ata janë gjykuar. Mendoj se do të zgjidhet i duhur. Më afër se sa politikë qëndron SHBA, për të ruajtur politikat gjeo-strategjike në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Ai që do të zgjidhet do të kryejë detyrat siç duhet, dhe do të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve.
Goditjet më të mëdha i ka realizuar SPAK, edhe ndaj politikës. Berisha nuk është në dorën e SPAK, por të gjykatës, në këto kushte edhe mënyra se si do të trajtohet kjo dosje në gjykatë do na e bëjë të qartë nëse SPAK ka punuar mirë apo jo me strukturat e veta. Puna e SPAK është e jashtëzakonshme. Situata e pastrimit të parave në Shqipëri është shumë evidente, kemi një ekonomi të kriminalizuar, këto janë dhe sfidat e SPAK”, tha Roland Bejko./abcnews.al

