Një polic për çdo qendër votimi/ Mbi 5 mijë uniforma blu për ruajtjen e qendrave të votimit

schedule09:38 - 9 Maj, 2025

schedule 09:38 - 9 Maj, 2025

Në bashkëpunim me OSCE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, u trajnuan 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të cilët u angazhuan për hetimin e krimeve zgjedhore.

Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë në aktivitetet përmbyllëse të subjekteve politike.

Polica e Shtetit tashmë ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore, si dhe kryen shërbim në momentin që largohet komisioni i KZAZ-së nga objekti.

Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe  5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë.

Lista me 5316 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.

Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara me ruajtjen e objekteve që do shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuar me shërbim.

Ditën  e  diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Më datë 11.05.2025, në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje. Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ dhe do jenë të pajisur  me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë.

Policia e Shtetit është shumë e vendosur dhe e angazhuar për të siguruar deri në fund mbarëvajtjen e procesit zgjedhur dhe ashtu siç garantoi rendin dhe sigurinë përgjatë fushatës elektorale, do të përmbushë me sukses edhe detyrimin madhor, atë që përgjatë ditës së votimit çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të ushtrojë qetësisht dhe i sigurtë, të drejtën kushtetuese për të votuar.

Gjithashtu, Policia e Shtetit, në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit ndërkombëtar “Giro d’Italia”, kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës  që të zbatojnë me korrektesë kufizimet e lëvizjes në rrugët e bëra publike dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe asaj Bashkiake, për problematikat dhe nevojat që mund të kenë për të qarkulluar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!