Gara e armatimeve me SHBA, frenohet oreksi i Putin

schedule22:47 - 8 Shkurt, 2019

schedule 22:47 - 8 Shkurt, 2019

Pavarësisht se e ka përdorur retorikën ushtarake kundër Perëndimit, presidenti rus Vladimir Putin i trembet një gare të re armatimesh bërthamore me Shtetet e Bashkuara. Kreu i Kremlinit druhet se një garë e shtrenjtë mund të përsërisë skenarin e shkërmoqjes së Bashkimit Sovietik, që do të sillte dhe fundin e pushtetit të tij.

I përballur me një rënie të ekonomisë dhe me një tkurrje të buxhetit për shkak të sanksioneve të Perëndimit, presidenti rus Vladimir Putin duket se nuk mund ta përballojë një garë të re armatimi bërthamor me Shtetet e Bashkuara. Duke akuzuar Moskën për shkelje, Uashingtoni vendosi më herët gjatë muajit daljen nga traktati që ndalonte raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, duke zgidhur duart nga detyrimi për të mos i prodhuar ato.

Kjo lëvizje i dha jetë perspektivës për një garë të re armatimesh mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit. Vetë presidenti Putin deklaroi se Rusia do të kopionte lëvizjet e Shteteve të Bashkuara dhe faktikisht ashtu bëri. Edhe ajo doli nga traktati i vitit 1987. Por Putin, që shpesh herë e ka përdorur retorikën ushtarake për t’u përballur me Perëndimin, nuk ndodhet në pozitën e tij më të mirë. Ai nuk njoftoi menjëherë pozicionimin e raketave dhe deklaroi se paratë për sistemet e reja duhet të vijnë nga fondet ekzistuese të buxhetit.

“Nuk duhet ta lejojmë veten të përfshihemi në një garë të shtrenjtë armatimesh”, i tha Putin ministrit të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Një deklaratë kjo, që ka lindur nga nevoja. I kushtëzuar nga vështirësitë ekonomike, realitetet e reja politike dhe madje kujtimet se si gara e armatimeve gjatë Luftës së Ftohtë çoi në shkërmoqjen e Bashkimit Sovietik, opsionet e Putin janë të kufizuara dhe mund të frenojnë oreksin e tij për një përshkallëzim të shtrenjtë të situatës në të ardhmen. “Duhet të kemi parasysh se gara e armatimeve që na bëri copash është një skenar më se realist”, ka deklaruar Sergei Dubinin, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Rusisë.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të përsërisin suksesin e arritur me strategjinë e Luftës së Ftohtë, që shtyu Moskën në një garë armatimi të cilën nuk mundi ta përballonte. Kujtimet e dyqaneve dhe ushqimoreve të boshatisura që në vitin 1991 çuan në falimentimin e Bashkimit Sovietik vazhdojnë të përndjekin zyrtarë dhe ish-zyrtarë rusë dhe skenari për të orientuar fluksin e parave drejt industrisë ushtarake duke injoruar konsumatorët edhe i tremb ata.

“Amerikanët e dinë që Bashkimi Sovietik pjesërisht u shpërbë për shkak se u përpoq të ishte i barabartë në garën e armatimeve me Shtetet e Bashkuara dhe tani po bëjnë të njëjtën gjë”, ka paralajmëruar Viktor Litovkin, ekspert ushtarak rus. Sidoqoftë, e gjithë kjo nuk do të thotë se Putin nuk po shpenzon fuqishëm në sektorin ushtarak. Vitin e kaluar ai prezantoi një seri armatimesh të reja, përfshirë këtu raketën hipersonike, armatimet me lazer, dronin nënujor bërthamor dhe një raketë bërthamore të fuqishme Kruis./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!