“Game of Thrones” vs “Lord of the Rings”: Një tregim mbi Hollivudin e vjetër dhe të ri

schedule11:47 - 22 Gusht, 2022

schedule 11:47 - 22 Gusht, 2022

The Economist

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Një betejë me shpata, magji dhe seks me një vlerë prej gjysmë miliardë dollarësh pritet së shpejti të jetë në ekranet tuaja. Më 21 gusht, Warner Bros Discovery lançoi “House of the Dragon”, një vazhdim i “Game of Thrones”, i cili ka kushtuar 150 milion dollarë.

Më 1 shtator, Amazon Prime Video do të publikojë “The Rings of Power”, një dramë më e dëlirë, por edhe më e kushtueshme e bazuar në librat “Lord of the Rings”. Me një vlerë rreth 465 milionë dollarësh, oferta e Amazon do të jetë më e shtrenjta në historinë e televizonit.

Lançimet pothuajse në të njejtën kohë do të jenë si një betejë epike vlerësimesh. Por ata janë gjithashtu pjesë e një lufte më të gjatë që vë përballë studiot e vjetra të Hollivudit kundër transmetimeve të reja.

Warner Bros, një nga studiot filmike më të nderuara të Amerikës, do të shënojë 100 vjetorin e saj vitin e ardhshëm. Amazon, e cila i fiton paratë e saj nga e-commerce dhe cloud computing, lançoi videon e saj të parë vetëm 5 vite më parë.

Ndërsa lufta e transmetimit intensifikohet, secila palë beson se ka një avantazh ndaj tjetrës.

Kohët e fundit dragonjtë e vjetër të Hollivudit  kanë fituar terren. Investitorët besuan te specialistët e transmetimit gjatë bllokimeve të 2020-21 për shkak të covid, por kanë humbur interesin te abonentët e rinj.

Netflix, i cili dikur fliste për një treg të mundshëm prej 800 milionë abonentësh duket se ka ngecur në 220 milionë dhe ka parë rënien e çmimit të aksioneve me 60% këtë vit. Më 10 gusht, Hollywood-i i vjetër mori dukshëm një fitore simbolike kur Disney njoftoi se kishte kaluar Netflix-in, me 221 milionë abonentë.

Kjo shifër numëron dyfish abonentët e shërbimeve të ndryshme të Disney dhe injoron faktin që shumë prej tyre transmetohen në vende me pagesa të ulëta si India. Por suksesi i Disney ka zhdukur çdo dyshim se studiot e vjetra mund të jenë në krye të transmetimeve, raporton abcnews.al.

Të  vjetrit e Hollivudit po mbledhin gjithashtu forcat se si të fitojnë para. Disney thotë se shërbimi i tij kryesor i transmetimit, Disney+, do të shënojë kulmin e humbjeve këtë vit përpara se të shënojë një fitim në 2024.

Një rritje e madhe e çmimeve, duke filluar nga dhjetori, do të jetë gjithashtu një ndihmë. David Zaslav, shefi i ri i Warner, kritikoi qasjen e vjetër të “shpenzoni, shpenzoni, shpenzoni dhe më pas paguani shumë pak”.

Warner pret që biznesi i saj i transmetimit të gjenerojë një fitim operativ bruto prej 1 miliard dollarësh deri në vitin 2025, tha ai.

“Nëse e bëjmë këtë, nuk më intereson vërtet se sa abonentë ka. Ne duam të sigurohemi që të paguhemi.”

Formatet e vjetra mediatike sigurisht që do të kenë një rol të rëndësishëm. Kinemat, shikueshmëria e cila ra me 80% në vitin 2020, janë hapur sërish. Cineworld, zinxhiri i dytë më i madh i teatrove në botë, po përgatitet të shpallë falimentimin, sipas Wall Street Journal.

Por Paramount, një dragua 110-vjeçar i Hollivudit, ndaloi publikimin e “Top Gun: Maverick” gjatë pandemisë dhe u shpërblye në maj me një shitje që kapi vlerën  prej mbi 1 miliard dollarësh.

Warner, e cila në vitin 2021 publikoi të gjithë filmat e saj në platformën e saj të transmetimit në të njëjtën kohë që ata u lansuan në kinema, i është rikthyer shfaqjeve ekskluzive teatrale, raporton abcnews.al.

Edhe transmetimi dhe televizioni kabllor, prej kohësh në rënie, duken si strehë relativisht të sigurta ndërsa biznesi i transmetimit bëhet edhe më i ashpër.

“Ne në fakt kemi katër, pesë ose gjashtë kasaforta,” u tha Zaslav investitorëve. “Dhe në një botë ku gjërat po ndryshojnë, dhe ka shumë pasiguri dhe ka shumë përçarje, kjo është shumë më e qëndrueshme dhe shumë më mirë sesa të kesh një kasafortë.”

Ky mund të jetë një argument bindës kundër një fillestari si Netflix, i cili varet tërësisht nga transmetimi. Problemi për Hollywood-in është se disa nga konkurrentët e tij të rinj kanë investime edhe më të mëdha dhe më të larmishme. Ndërsa rruga e Warner drejt fitimit do të përfshijë shkurtime drastike – ajo tashmë ka hequr shërbimin e saj të transmetimit të lajmeve, cnn+ dhe prodhimet e papërfunduara duke përfshirë “Batgirl” – Amazon nga ana tjetër nuk ka treguar asnjë shenjë të shtrëngimit të rripit.

Amazon së fundimi, bleu Metro Goldwyn Mayer, studion pas “James Bond”, për 8.5 miliardë dollarë, fitoi të drejta për Ligën Kombëtare të Futbollit të Amerikës me vlerë 1 miliardë dollarë në vit dhe zgjeroi prodhimin e saj ndërkombëtar.

Morgan Stanley, një bankë investimesh, vlerëson se Amazon do të shpenzojë 16 miliardë dollarë për përmbajtjen mediatike këtë vit. Kjo është më shumë se 14 miliardë dollarë të Netflix.

Vitin e ardhshëm shpenzimet e Amazon mund të arrijnë në 20 miliardë dollarë. Ndryshe nga dragojtë e vjetër të Hollivudit, disa transmetues të rinj as nuk kanë nevojë të sigurohen që do të paguhen, sipas Zaslav. Amazon Prime Video ekziston për t’i mbajtur njerëzit të regjistruar në Prime, përfitimi kryesor i të cilit është shpërndarja falas e blerjeve nga Amazon.

Shërbimi tv+ i Apple që po zgjerohet vazhdimisht është i orientuar drejt shërbimit të klientëve në ekosistemin e celularëve dhe kompjuterëve të Apple, ku kompania fiton paratë.

Shërbimet nëpërmjet videove nga Amazon dhe Apple ofrojnë gjithashtu pasuri të paluajtshme për reklama në të ardhmen, një biznes në të cilin të dyja kompanitë kanë ambicie të rriten. Hollivudi i vjetër po lufton, duke u ofruar shikuesve më shumë transmetime dhe me një kosto të reduktuar.

Warner planifikon të kombinojë shërbimin e saj kryesor të transmetimit, hbo Max, me Discovery+ verën e ardhshme. Disney po eksperimenton me paketa shërbimesh me zbritje si espn+ dhe Hulu.

Megjithatë, rivalët e rinj të Hollivudit ofrojnë pako të tjera. Kasaforta e videove të Apple është shumë më e vogël se ajo e Disney ose Warner, por paketa e abonimit “Apple One” përfshin jo vetëm televizorin, por muzikën, lojërat, lajmet dhe fitnesin, raporton abcnews.al.

Amazon Prime vjen me një mori përfitimesh të ngjashme. Ndërsa familjet kërkojnë të kursejnë, marrëveshjet e të gjithave mediave si këto mund të duken joshëse. Kjo mund të jetë arsyeja pse disa “dragonj të vjetër” të Hollivudit po vendosin të bëjnë biznes me të rinjtë.

Më 15 gusht, Paramount njoftoi një marrëveshje me Walmart, një shitës gjigant me pakicë, në të cilën anëtarët e Walmart+ do të kenë akses falas në shërbimin e transmetimit Paramount+. Ashtu si Amazon dhe Apple, Walmart i sheh mediat si një mënyrë për t’i mbajtur klientët besnikë ndaj biznesit të saj kryesor.

Së fundmi ka shtuar muzikë në paketën Walmart+, nëpërmjet një marrëveshjeje me Spotify.

Ndërsa konkurrenca për shikuesit intensifikohet, beteja mes Hollywood-it të vjetër dhe atij të ri po rezulton po aq e përgjakshme sa një episod i “Game of Thrones”.

Për konsumatorët, të cilët kanë më shumë zgjedhje dhe më shumë oferta se kurrë, është po aq argëtuese.

/abcnews.al