“Galaktikët” nuk shkëlqejnë/ Sulmi madrilen në krizë, Kylian Mbappe mbetet sërish “thatë”

schedule17:16 - 30 Gusht, 2024

schedule 17:16 - 30 Gusht, 2024

Është vetëm fillimi, por sinjalet nuk janë aspak të mira.

“Galaktikët” e Real Madrid nuk po arrijnë të ruajnë vazhdimësinë në sezonin e ri të La Liga, duke u ndalur në shifrat 1-1 në transfertën e Las Palmas për javën e tretë të kampionatit spanjoll, teksa më shumë se rezultati janë detajet e tjera që duhet të shqetësojnë teknikun Ancelotti.

Si fillim mbrojtja, që lejoi golin e epërsisë së vendasve që në minutën e pestë dhe akoma më shqetësues është rendimenti i sulmuesëve.

“Ylli” francez, Kylian Mbappe nuk ka dhënë impaktin që prisnin të gjithë, teksa nuk ka shënuar asnjë gol në tre ndeshjet e para të La Liga, megjithëse sipas statistikave, sulmuesi francez është futbollisti që ka tentuar më shumë portat kundërshtare në tre ndeshje.

I njëti dikutim edhe për kolegët e tij.

Vetëm një gol për Rodrygo dhe një tjetër për Vinicius Junior, që vendosi barazimin në transfertën e Las Palmas.

Braziliani goditi saktë nga pika e penalltisë në minutën e 69’-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar, një ndalesë që nuk është pritur mirë në popullin “Los Blancos”, ndërsa mediat madrilene i bien sirenave të alarmit.

Pas tre ndeshjeve të para Real ka 5 pikë, katër më pak se Barcelona që ka nisur shpejt shkëputjen. Sigurisht, sezoni sapo ka nisur, por nëse nuk ndryshojnë marsh, të besuarit e Don Carlo rrezikojnë ta dorëzojnë shpejt titullin kampion. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!