Një shqiptar është dënuar nga drejtësia britanike pasi u kap në një fabrikë kanabisi në Bradford. Gjyqtari Jonathan Durham e dënoi shqiptarin me 27 muaj burg, pasi u shpall fajtor për prodhim kanabisi.
20 -vjeçari Sajmir Gjauri, u arrestua nga policia në tentativë për t’u arratisur nga fabrika, e fshehur pas disa lokaleve në Killinghall Road, Bradford.
Prokurori Stephanie Hancock tha të mërkurën në gjykatë se Gjauri ishte parë duke mbyllur lokalet më 9 Qershor. Sipas tij, shtatë dhoma përdoreshin për të rritur 300 bimë kanabisi. Energjia elektrike ishte anashkaluar dhe në dhoma ishin vendosur pajisje të sofistikuara ku ujitja e bimëve bëhej automatikisht.
Gjauri, i cili kishte hyrë në Britania ilegalisht nga ana e pasme e një kamioni disa muaj më parë, u deklarua fajtor. Ai jetonte në lokalet ku rritej lënda narkotike, pasi aty u gjet pasaporta e tij, ushqime dhe shtrati.
Avokati Conor Quinn, tha se klienti i tij kishte shkuar në Britani të Madhe për të fituar para, për t’ia dërguar familjes së tij.
“Ai ishte një punëtor i thjeshtë kur erdhi në fillim. Por kur zbuloi se mund të fitonte shumë më tepër para filloi të kujdesej për fabrikën e kanabisit”, tha Quinn. Gjykata pranoi kërkesën e shqiptarit, i cili pas përfundimit të dënimit dëshiron të deportohet./abcnews.al


