Gabimi i “mos-poshtërimit” të Rusisë

schedule11:13 - 4 Korrik, 2022

schedule 11:13 - 4 Korrik, 2022

Nga Artem Shevalev “Center for European Policy Analysis”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Për javë, në mos muaj të tërë, kemi qenë dëshmitarë të një morie deklaratash dhe qëndrimesh, të cilat sugjerojnë që fuqitë globale ta ndihmojnë Rusinë të “shpëtojë fytyrën”, pas pushtimit të saj të paligjshëm dhe të paprovokuar të Ukrainës.

Ky është një pozicion që është vërejtur në forma të ndryshme nga politikanë evropianë të niveleve të ndryshme – nga liderët e G7-s si presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Scholz, deri tek analistët dhe partitë politike perëndimore që janë simpatizuese të Rusisë, dhe deri tek presidenti i Brazilit Bolsonaro apo ai i Indisë Modi.

Mesazhi i përbashkët në versione të ndryshme i kësaj qasjeje tolerante ndaj Putinit, është se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund armiqësive, është të detyrohet Ukraina të bjerë dakord me një formë lëshimi apo humbje përballë Rusisë. Por lejimi që Rusia t’ia hedhë paq pa marrë asnjë përgjegjësi për vrasjet masive dhe spastrimin etnik, ka pasoja dukshëm më të mëdha sesa thjesht vuajtja e dhjetëra miliona ukrainasve (edhe pse koncepti i shkaktimit të qëllimshëm të vuajtjeve njerëzore të përmasave të tilla në shekullin XX1, në vetvete është i neveritshëm).

Do të vuajë e gjithë bota, pasi trazirat mund të zgjasin me dekada, duke e dëmtuar në një masë të madhe cilësinë e jetës së qindra miliona ndoshta edhe miliarda njerëzve. Bota po përballet tashmë me një ngadalësim të rritjes ekonomike pas pandemisë, presionet inflacioniste, ndryshimin e vazhdueshëm dhe të përshpejtuar të klimës, dhe me problemet e furnizimit me ushqim dhe energji.

Prandaj, le të imagjinojmë një skenar ku Rusia rishfaqet me fytyrën të paprekur të Putinit. Rusia ka abuzuar për vite me radhë me tregtinë globale të energjisë (në një shembull të kohëve të fundit, ajo ndërhyri tek furnizimet me gaz në Evropë në vitin 2021, duke bërë që çmimet e gazit të shënonin rekorde të papara më herët), raporton abcnews.al.

Moska as që e mohon më, se e përdor energjinë si një mjet presioni: jo vetëm furnizimet me gaz në Evropë, por edhe ato me uranium të pasuruar për në Shtetet e Bashkuara. Me agresionin e tij ushtarak të pandëshkuar, do të vazhdojë shantazhi energjetik i Putinit. E përse do të refuzonte Rusia të ardhurat e papritura nga tregjet e shtrembëruara që mund t’i manipulojë si të dojë, kur kjo gjë i jep gjithashtu mundësi të korrë përfitime politike?

Mungesa e ushqimit do të përkeqësohet. Ukraina është një prodhuese dhe eksportuese e madhe globale e drithërave, dhe konkurrentja kryesore e Rusisë në eksportet e grurit dhe ushqimeve të tjera. Bllokada e porteve, shkatërrimi i logjistikës së magazinimit dhe eksporteve, si dhe grabitja e drithit nga ana e Rusisë nuk janë akte rastësore.

Ukraina është nga një furnizueset kryesore në kuadër të Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së, duke ushqyer miliona njerëz në vendet më të varfra. Nëse Rusia shkatërron konkurrencën nga Ukraina, ajo do të ketë fuqi edhe më të madhe për të përdorur si një armë vdekjeprurëse urinë globale.

Rusia do të vazhdojë të sabotojë punët e brendshme të vendeve të tjera. Prej vitesh Moska tenton t’i manipulojë zgjedhjet, teksa ka kryer vrasje politike pa gjyq. Po ashtu, ajo ka promovuar korrupsionin në jetën politike dhe ekonomike të demokracive perëndimore, duke dhënë ryshfete për të depërtuar në institucionet dhe mediat e tyre, duke mbështetur të gjitha llojet e teorive konspirative.

Në Rusi, Kremlini ka përfunduar tashmë procesin e shkatërrimit të të gjitha institucioneve demokratike, ka burgosur ose vrarë liderët e tij të opozitës, i ka nënshtruar të gjitha mediat dhe e ka indoktrinuar popullsinë e saj. Gjithashtu, Putin do të vazhdojë të përdorë një nga armët e tij të preferuara: refugjatët.

Veprimet e drejtpërdrejta ushtarake ruse apo operacionet e fshehta, kanë bërë që miliona refugjatë të kërkojnë siguri në Evropë, Turqi, Jordani dhe vende të tjera edhe para pushtimit të fundit të Ukrainës. Siç vuri në dukje Komandanti Suprem i NATO-s në vitin 2016, Putin dhe aleatët e tij ndikuan në krijimin dhe më pas shfrytëzuan pa mëshirë krizën e emigrantëve sirianë në Bashkimin Evropian.

Tani që ai po përdor veç bombave edhe urinë, do të ketë më shumë shpërthime globale. Por ndoshta “një rrugëdalje për Putinin” do të sjellë të paktën paqe? Jo. Strategjia ruse e sigurisë ka qenë gjithnjë rrethimi me një “rrip pasigurie”, duke krijuar konflikte në Transnistria në Moldavi, duke e mbështetur pushtimin e Karabakut nga Armenia dhe luftën e saj me Azerbajxhanin, duke ndihmuar në mposhtjen e forcave pro-demokratike në luftën civile në Taxhikistan, duke pushtuar Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë në Gjeorgji në vitin 2008, për të mos përmendur dy luftëra brutale çeçene brenda vendit.

Më pas erdhi pushtimi në Ukrainë në viteve 2014 dhe 2022. Një konflikt është gati të shpërthejë në Taxhikistan, vend të cilin Rusia ka premtuar tashmë ta “mbrojë”. Ndërkohë Rusia ka ndërmarrë veprime ushtarake në shkallë të plotë në Siri, dhe ka bekuar operacionet brutale dhe grabitëse të ushtrisë së saj private në Afrikën Sub-Sahariane, raporton abcnews.al.

Ku mund të shfaqen më tej të ashtuquajtura ushtri private të mercenarëve rusë? Siç e kanë deklaruar hapur shumë zyrtarë të lartë rusë, Moska nuk ka ndërmend të ndalet. Ndihma ndaj Rusisë për të shmangur humbjet në Ukrainë, vetëm sa do ta lejonte atë të rindërtonte kapacitetin e saj ushtarak të dëmtuar rëndë në Ukrainë, dhe të përdorë fitimet e saj të mëdha nga shitja e energjisë.

Qeveritë e afërta dhe të largëta do të detyrohen që të kundërpërgjigjen. Buxhetet e mbrojtjes në mbarë botën do të rriten, ashtu si rritja e çmimeve të energjisë do të godasë votuesit si në botën e zhvilluar, po ashtu edhe në atë në zhvillim. Shpenzimet publike do të reduktohen, duke ndikuar në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe shërbimet sociale.

Harrojini investimet e reja në infrastrukturë, kërkime shkencore dhe zhvillim jo-ushtarak: ekonomia e gjelbër dhe nismat që lidhen me ndryshimet klimatike do të anulohen. Ndërsa reduktohen të ardhurat e disponueshme në Perëndim, do të vuajnë edhe eksportet e mallrave të konsumit të Kinës dhe perspektivat e rritjes së saj ekonomike.

Pra e tillë është kostoja për “shpëtimin e fytyrës” së Putinit: një botë e varfër, e pasigurt, e uritur, e militarizuar. A jeni gati për këtë botë për fëmijët tuaj? Apo do ta armatosim dhe financojmë Ukrainën tani, dhe t’i lëmë ukrainasit të luftojnë për të ardhmen tonë të përbashkët?

Shënim:Artem Shevalev, ish-zëvendësministër i Financave dhe Integrimit Evropian në vitet 2015-2016 në qeverinë e Ukrainës. Aktualisht është pjesë e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it dhe Bordit Mbikëqyrës të PrivatBank, banka më e madhe në Ukrainë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!