Futsall/ Ukraina e pamëshirshme, shpartallon me 10 gola Shqipërinë

schedule22:26 - 31 Janar, 2021

schedule 22:26 - 31 Janar, 2021

Kombëtarja shqiptare e Futsallit ka luajtur mbrëmjen e sotme kundër Ukrainës ndeshjen e dytë të vlefshme për Eliminatoret e Kampionatit Europian 2022. Ndeshja e zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, në sallën “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës është fituar nga ekipi i Ukrainës, me rezultatin 3-10.

Kombëtarja e drejtuar nga trajneri Erind Resuli, zbriti në fushë me këtë formacion: Cristiano Da Silva, Azem Brahimi, Mentor Mejzini, Halim Selmanaj, Ermir Kryeziu. Ndeshja ishte mjaft e luftuar nga të dyja ekipet, me ukrainasit që shtangën kuqezinjtë, duke shënuar që në minutën e parë dhe duke ndezur lojën.

Në minutën e 6-të, ukrainasit dyfishojnë rezultatin me Shoturma. Kuqezinjtë kërkuan golin dhe pas disa rastesh ishte kapiteni Mejzini, ai i cili gjeti rrjetën në minutën e nëntë dhe ngushtoi rezultatin. Sërish raste për Kombëtaren, të cilët kërkojnë të barazojnë rezultatin dhe në minutën e 13-të, i falen golit të Brahimit, i cili shënon dhe barazon shifrat, 2-2.

Në minutën e 14-të, ukrainasit shënojnë dy herë, me Zvarych dhe Bilotserkivets. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-5, me ukrainasit që shënojnë në minutën e 19-të. Në fraksionin e dytë, kuqezinjtë tentojnë disa herë përpara portës ukrainase dhe arrijnë të shënojnë golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes vetëm në minutën e 34-t.

Ukrainasit shënojnë edhe pesë herë të tjera, me Grytsyna (23’), Fareniuk (26’), Zvarych (27’), Yeromin (36’), Malyshko (40’). 3-10 mbyllet kjo ndeshje e dytë e Kombëtares së Futsallit kundër Ukrainës, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2022.

Duhet thënë se Ukraina dhe Kroacia janë dy ndër kombëtaret më të forta të kontinentit pasi renditen përkatësisht në vendin e 9-të dhe të 7-të në klasifikimin e UEFA-s. Pas këtij rezultati, Shqipëria renditet e fundit në Grupin 1, me 0 pikë, teksa ndeshjen e radhës do ta zhvillojë ndaj Danimarkës. / fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!